Arbëri

Vlerësohet bashkëpunimi Shqipëri - Finlandë

Në kuadër të vizitës në Finlandë, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta u prit sot në Helsinki nga ministri i Jashtëm i Finlandës, Timo Soini, me të cilin vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira politike mes Shqipërisë dhe Finlandës, transmeton koha.net.

Meta dhe Soini ndanë bindjen se bashkëpunimi mes dy vendeve duhet intensifikuar veçanërisht në drejtim të shkëmbimeve ekonomike.

Kryetari i Kuvendit, Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Finlandës ndaj integrimit evropian të Shqipërisë dhe nënvizoi përkushtimin e Kuvendit në interes të dialogut politik dhe avancimit cilësor të reformave kyçe, siç është ajo e sistemit të drejtësisë.

Ministri i Jashtëm i Finlandës, Timo Soini u shpreh se Finlanda e mbështet Shqipërinë në rrugëtimin e saj evropian dhe theksoi se forcimi i sundimit të ligjit në të gjithë vendet e Ballkanit i shërben gjithë Evropës.

Në përfundim z. Meta dhe Soini biseduan edhe mbi zhvillimet e fundit në rajon duke theksuar rëndësinë e mbarëvajtjes së stabilitetit dhe perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor ku Shqipëria luan një rol kyç.