PDK-ja thotë se truproja e Imri Ahmetit kërcënoi me vrasje kandidatin e saj për Lipjan

PDK-ja thotë se truproja e Imri Ahmetit kërcënoi me vrasje kandidatin e saj për Lipjan

13 tetor 2017 17:01

Dega në Lipjan e Partisë Demokratike të Kosovës, po pretendon se truproja e Imri Ahmetit ka kërcënuar me vrasje kandidatin e PDK-së për kryetar komune, Ismet Hajrullahu.

Vetë Imri Ahmeti, për portalin Koha.net e ka mohuar një gjë të tillë.

“PDK, dega në Lipjan, shpreh shqetësimin për vazhdimin e linçimeve, kërcënimeve dhe shantazheve nga ana e grupit kriminal të Imri Ahmetit ndaj anëtarëve dhe simpatizantëve të PDK-së. Sot është kërcënuar publikisht me vrasje kandidati për kryetar z. Ismet Hajrullahu, nga Mentor Vishesella, truproja e Imri Ahmetit. Kërcënimi ka ndodhur pas debatit televiziv ‘Jeta në Komunë’”, thuhet në reagimin e PDK-së.

PDK, thotë se “këto kërcënime nuk e ndalin zërin e tyre për të ndalur të keqen që iu është kanosur qytetarëve tanë. Për më tepër, ato na bëjnë edhe më të fortë për të vazhduar rrugëtimin e fitores dhe rrëzimin e një pushteti të diktaturës”.

“Ne jemi të obliguar që të promovojmë vlera demokratike, duke bërë fushatë fer dhe demokratike. Ne ftojmë organet kompetente te sigurisë të ndërmarrin masa për të dënuar veprimet e tilla kriminale nga njerëzit e LDK-së të cilët po përdorin të gjitha mjetet antiligjore me qëllim të frikësimit dhe heshtjes së oponentëve politikë”, thuhet në reagimin e PDK-së.

Por kryetari njëherësh kandidati i LDK-së për kryetar komune, Imri Ahmeti e ka mohuar një gjë të tillë.

Ai për Koha.net ka thënë se këto janë vetëm shpifje.

“Jo nuk është e vërtetë, janë shpifje. Ata vetëm po provokojnë ashtu siç kanë bërë nga fillimi”, ka thënë ai.

Koha.net ka tentuar të marrë prononcim edhe nga Faik Ispahiu, producent ekzekutiv në “Jeta në Komunë”, por qasja ka qenë e pamundur.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme