Arbëri

Haradinaj paralajmëron masa për zvarritësit e shpronësimit në Hade e Shipitullë

Kryeministri Ramush Haradinaj, ka paralajmëruar masa ndaj të gjithë personave që kanë zvarritur me vite të tëra procesin e shpronësimit të pronave në Hade dhe Shipitullë, raporton KTV.

Në vizitën që ia ka bërë Korporatës Energjetike të Kosovës dhe Komunës së Obiliqit, shefi i ri i ekzekutivit ka paralajmëruar se për të gjetur një zgjidhje, ai do t’i mbledhë mbrëmjen e së martës të gjitha palët e përfshira për të zgjidhur këtë situatë për të cilën ka thënë se duhet dhënë dikush përgjegjësi.

Në takimin e mbajtur me banorët që protestonin para objektit të komunës në Obiliq dhe në sallën e Kuvendit komunal, banorët i kanë thënë kryeministrit që të vetmet kërkesa që i kanë janë një shpronësim më i drejtë dhe punësim në KEK të një personi nga secila familje që do të preken nga shpronësimi.

Sa i përket premtimit për rritjen e pagave për punëtorët e KEK-ut, ai ka thënë se një gjë e tillë do të ndodhë, por jo për të gjithë. Ndërsa, ka thënë se do të punojë që shumë shpejt Ligji për Obiliqin të jetë funksional.