Arbëri

Dragusha: Pse duhet gjetur “x”-i në matematikë? Kjo nuk është inovative

Besnik Dragusha

Kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Besnik Dragusha, ka deklaruar se shkollat në Kosovë duhet të ndërrojnë formën e punës pasi sipas tij, disa prej veprimeve nuk janë inovative

Ai ka thënë se problemet matematikore duhet të jenë më inovative që për nxënësit të jenë atraktive.

“Tekstet shkollore të përmirësohen. Kemi hasur në tekste që s’janë qartë të shkruara ose s’po dimë t’i shkruajmë. Librat e njëjta si matematika, fizika apo informatika pse të mos marrim shembull Finlandën apo Britaninë. T’i marrim librat e tyre dhe t’i shkruajmë. Kemi raste kur komplikohen aq tepër saqë nuk janë inovative. Kur i kemi thënë nxënësit të gjendet ‘X-i’, e kemi vrarë inovacionin”, ka deklaruar ai në “Konfront” të KTV-së.


 Rexha: Pse u desh mësimi tërëditor në shkollat më të mira? Gabim

Njohësi i çështjeve të arsimit, profesori Xhavit Rexha, e ka cilësuar të gabuar iniciativën për mësim tërëditor në kryeqytet.

Të mërkurën në “Konfront” të KTV-së, Rexha ka thënë se mësimi tërëditor po planifikohet të mbahet në shkollat më të mira të qytetit. 

“Gjithkund përveç Prishtinës, gjithkund në Kosovë e kisha përshëndetur këtë iniciativë. Pos në Prishtinë e Fushë-Kosovë. Këto janë të vetmet që kanë prurje më të mëdha, të gjitha tjerat kanë rënie. Ajo që më pengoi më shumë është pse në shkollat më të mira? Nëse ke sigurimin e cilësisë si qëllim, nuk e ngrit cilësinë në ato shkolla, shkoni në shkollat periferike. Nuk e dimë saktë se si do të bëhet. Ku është programi, ku është koncepti i mësimit tërëditor”, ka thënë ai. 


Gjinovci: Klasat e shkollës që u promovua sot u ngjajnë dhomave të burgut

Analisti i emisionit “Konfront” në KTV, Rron Gjinovci, ka deklaruar se shkolla që u promovua të mërkurën në Podujevë ka klasa që u ngjajnë dhomave të burgut.

Ai ka thënë se shkollat e sotme i ngjajnë strukturës së shkollës së parë shqipe në Korçë.

“Shkolla në Dumosh që u përurua, vizioni ishte i njëjtë. Derisa fëmijët kanë smartfone në duar, kjo shkollë është e ngjashme me burgun e Dubravës dhe të Lipjanit ku unë kam qenë si shkak i aktivizmit tim...Kjo është dysheme e burgut. Është metodë e shekullit XIX dhe XX. Metodë si të kontrollohen për disiplinë”, ka thënë Gjinovci.


Gashi: Nga 2009-a numri i nxënësve është ulur për 33%, i mësimdhënësve është rritur

Egzon Gashi nga organizata “Teach for Kosovo” ka thënë se një prej telasheve kryesore në sistemin arsimor është mosreagimi me kohë përballë krizës së rënies së numrit të nxënësve.

Sipas tij, nga viti 2009 në Kosovë ka 33 për qind më pak nxënës, ndërsa numri i mësimdhënësve është rritur.

Duke e parë si risi pozitive sivjet nisjen e mësimit tërëditor në pesë shkolla në Prishtinë, Gashi ka thënë se kjo duhet të ndryshojë urgjentisht në Kosovë.

“E kemi mundësinë goxha të veçantë në këtë kohë. Numri i nxënësve po bie në të gjithë Kosovën dhe nëse kjo po ndodh do të thotë se mund t’i konsolidojmë shkollat e të investojmë ma shumë në më pak shkolla. Nëse e kemi primare për të mbajtur numrin 3-4 nxënës në një shkollë për të arsyetuar punësimin e mësimdhënësve, ky është problem shumë i madh dhe i thellë në edukimin tonë. Ne më shumë e kemi primar ta ruajmë vendin e punës së mësimdhënësit se të kemi edukim të mirëfilltë për fëmijët”, ka thënë ai.

Sipas tij, në Kosovë po veprohet për të ruajtur vendet e punëse dhe nuk po mendohet për të ardhmen e fëmijëve. Si një prej propozimeve, ai ka thënë se duhet të jetë ulja e numrit të mësimdhënësve nga rreth 23 mijë në rreth 18 mijë përmes pensionimit vullnetar për mësimdhënësit mbi 55-vjeçarë. 

"Numri i nxënësve ka rënë prej 33 për qind prej vitit 2009 e i mësimdhënësve ka mbetur njëjtë ose është rritur 1 – 2 për qind. Kjo tregon se nuk kemi nevojë për 23 mijë mësimdhënës. Për ndoshta 18-19 mijë. Por duam t’i ruajmë vendet e punës. Nëse do që të heqësh një pjesë, një mënyrë është me pensionim të vullnetshëm. Vetë le të vendosë ai", ka deklaruar Gashi.

 


Rexha: Me subvencionimin e librave është demokratizuar vendimmarrja

Njohësi i çështjeve të arsimimit në Kosovë, Xhavit Rexha, ka deklaruar se nëpërmjet subvencionimit të teksteve shkollore është demokratizuar vendimmarrja, duke thënë se nëpërmjet kësaj zor se mund të ketë korrupsion.

Kjo sipas Rexhajt është aspekt pozitiv, ndërsa negativ tha se është largimi i hallkës së shtëpive botuese në proces.

“...Kjo është më të vështirë të korruptojë dikë. Është anë e mirë, e anë e keqe është se është futur hallka e prindit, ku do t’i kursejnë mjetet. Transaksioni i mjeteve është shtuar. Janë hequr shtëpitë botuese, e këto kanë qenë hallkë që e lehtësonin procesin. Duke u frikësuar nga korrupsioni nuk duhet të dënohen shtëpitë botuese”, ka deklaruar Rexha të mërkurën në emisionin "Konfront".