Numri i madh i armëve pa leje, që janë në duart e qytetarëve, është kualifikuar si një rrezik i madh për sigurinë publike. Në shtatë muajt e parë të vitit janë konfiskuar mbi 600 armë ilegale, teksa besohet që në duart e qytetarëve janë mbi 230 mijë syresh. Në Ministrinë e Punëve të Brendshme kanë veçuar disa sfida në luftën kundër armëmbajtësve pa leje
Lagjja “Aktash” në Prishtinë gjatë tri ditëve të fundit është shndërruar dy herë në skenë krimi. Në rastin e parë, të dielën mbrëma, aty është vrarë një person ndërsa janë plagosur pesë të tjerë në konfrontimin e dy grupeve kriminale, gjatë së cilës janë shkrepur 100 fishekë nga armë zjarri.
Në rastin e dytë, të martën, një personi i është vënë arma në kokë pas mosmarrëveshjes për një vendparkim.
Për kriminologun Armend Halimi, nga Instituti për Studime të Sigurisë, numri i madh i armëve pa leje që janë në duar të qytetarëve përbën një rrezik të madh për sigurinë publike.
“Zakonisht dukuria e vrasjes, por jo vetëm e vrasjes, por edhe e kërcënimeve ose e realizimit të dukurive të ndryshme kriminale, sikurse kemi të bëjmë me vjedhjen dhe grabitjen, zakonisht shfrytëzohen me armë të zjarrit, gjë që kemi edhe për pasojë një numër të lartë të këtyre dukurive, sidomos të vrasjeve ku Kosova shënon rritje të kësaj dukurie”, ka vlerësuar ai.
Bazuar në të dhënat e Policisë, gjatë një viti konfiskohen mesatarisht rreth 1.500 armë pa leje, teksa besohet që në duart e qytetarëve janë ende mbi 230 mijë syresh.
Vetëm gjatë shtatë muajve të parë të këtij viti janë konfiskuar 632 armë ilegale.
Por avokati Skender Musa është i bindur se vetëm në një lagje apo në një fshat mund të gjenden shumë më tepër armë sesa kaq.
“Numri është jashtëzakonisht i vogël, në krahasim me armët që mund të gjenden nëpër shtëpi të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Mendoj se në secilën lagje të secilit vendbanim, qoftë fshat apo qytet, do të mund të gjendeshin 800 armë. Kam krijuar përshtypjen se çdo i dyti qytetar, po të kontrollohej, do t’i gjendej një armë. Në Kosovë më lehtë mund të gjesh armë sesa disa produkte të tjera ushqimore”, ka theksuar ai.
E në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), nëpërmjet një përgjigjeje për KOHËN, janë veçuar disa sfida në luftën kundër armëmbajtësve pa leje.
“Moszbatimi i drejtë dhe rigoroz i legjislacionit përkatës për çështjen e armëve në përgjithësi. Koha e gjatë për trajtimin e rasteve, sidomos nga prokuroria dhe gjykata. Dhënia e dënimeve të ulëta për kryerësit e veprave me armë dhe mossanksionimi i tyre nga gjykata”, kanë thënë në MPB.
Dënimi për armëmbajtje pa leje, sipas Kodit Penal të Kosovës, ndëshkohet me gjobë deri në 7.500 euro apo edhe me burgim deri në pesë vjet. E, për posedimin e më shumë se katër armëve, dënimi mund të shkojë edhe deri në dhjetë vjet burgim.
Ardona Popova