Arbëri

Peci: Vendimi i Qeverisë për pronat rreth Manastirit, përpjekje për relaksim të klimës me SHBA-në

Lulzim Peci, drejtor i KIPRED-it, ka thënë se është i vonuar vendimi i Qeverisë për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese që t’ia njohë Manastirit të Deçanit të drejtën në pronë në 24 hektarë.

Sipas tij, do të ketë pasoja pasi ky vendim ka ardhur me kushtëzime e presion ndërkombëtar, dhe jo si vendim që është dashur të zbatohet që kur Kushtetuesja vendosi më 2016.

“Qeveria iu nënshtrua presionit ndërkombëtar dhe në anën tjetër ka qenë i qartë pozicioni i vendeve perëndimore që nëse nuk zbatohet ky vendim nuk fillon procesi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Ky vendim është i vonshëm sepse ndërkohë Kosova ka marrë shumë kritika që nuk e ka zbatuar një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Ka pasoja dhe do të ketë pasoja sepse ky vendim është marrë për shkak të kushtëzimit dhe presionit dhe jo si vendim që është dashur të zbatohet qysh më herët në përcjellje të vendimet të Kushtetueses”, ka thënë ai në emisionin “60 Minuta”.

Peci ka shtuar se vendimi i Qeverisë ka qenë edhe një përpjekje për relaksimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Vendimi që u mor sot përveç kushtëzimit me anëtarësim, ka pasur të bëjë me përpjekje për një relaksim të klimës më SHBA”.

E, ndërkohë ka folur edhe për dinarin. Peci ka theksuar se pavarësisht çfarë ka thënë Qeveria, vendimi për dinarin është marrë në koordinim me të.

“Qeveria po thotë se BQK-ja e ka bërë në mënyrë të pavarur, por edhe fëmija e di që nuk është e vërtetë sepse banka nuk mund të marrë vendime të tilla pa konsultime me Qeverinë. Qeveria e ka marrë këtë vendim për t’iu shmangur detyrimit të saj në lidhje me Asociacionin. Ka dashur të krijojë situatë të re, realisht nuk e kemi shtri sovranitetin...”, është shprehur Peci.

Peci ka deklaruar se ndaj Kosovës e Serbisë presioni ndërkombëtar do të rritet në muajt deri në maj dhe nëse deri atëherë nuk arrihet progres, do të ketë pasoja.

“Presioni do rritet në muajt në vijim dhe do tentohet të arrihet ndonjë progres i madh deri në maj, nëse nuk arrihet deri atëherë jo vetëm nga ana e Kosovës por edhe e Serbisë, deri në maj nëse arrihet do arrihet, nëse jo ne do të futemi në një fazë shumë të rrezikshme”, ka përfunduar ai.