Arbëri

Qeveria urdhëron që Manastirit të Deçanit t’i jepen pronat sipas vendimit të Kushtetueses

Qeveria e Kosovës ka urdhëruar Agjencinë Kadastrale që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese që t’ia njohë Manastirit të Deçanit të drejtën në pronë në 24 hektarë. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se këtë vendim e ka marrë për ta hequr si kusht për pranimin e Kosovës në Këshill të Evropës.

Në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën, ai ka thënë se Qeveria e Kosovës ka qenë para dy opsioneve: Të plotësojë këtë kusht dhe që Kosova të pranohet në Këshill të Evropës apo të ngelë pa u anëtarësuar. Sipas tij, vendimi është marrë “duke u prirë nga arsyeja e shëndoshë”. Kurti ka thënë se vendimin vazhdon ta cilësojë të dëmshëm, por ka shtuar se pranimi në KiE do të ishte fitore historike.

“Mbi të gjitha, kërkohej një vendim i arsyeshëm, fatkeqësisht jo i drejtë në plotninë e tij. Por me gjithë këtë për të arritur një qëllim shumë madhor që ia kemi borxh shtetit e që hap mundësi të papara më herët, ne duhet bërë hap përpara me maturi e përgjegjësi si vend i pavarur e sovran. Andaj sot i kemi thënë agjencionit kadastral të Kosovës që ta zbatojë vendimin e Kushtetueses kurse ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, i ka dërguar notë verbale njoftuese Këshillit të Evropës”, ka deklaruar Kurti.

Kurti ka thënë se Komiteti përgjegjës në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës edhe në raportin e fundit ka thënë se ky ngel kusht që duhet plotësuar për anëtarësim. Teksa ka thënë se kanë bërë përpjekje që ky kusht të hiqet, Kurti ka deklaruar se “janë bindur se duhet të zgjidhim një vendim, se s’ka zgjidhje të tretë”.

“Si kryeministër, nuk na pëlqen ai vendim i çuditshëm e i padrejtë, e ndërkohë ka edhe procese të tjera gjyqësore pezull për këtë çështje teksa ne si qeveri s’kemi më mjete legale e juridike për ta anuluar vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Nuk do ta ndryshoj qëndrimin ndaj këtij vendimi të dëmshëm asnjëherë. Në anën tjetër, s’ka dyshim që anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës do të ishte jo vetëm fitore historike, por edhe hap gjigant për Republikën tonë drejt njohjes së pesëshes evropiane që mundëson anëtarësimin në NATO dhe në BE për Kosovë ne pavarur. Në ushtrimin e gjykimit për këtë çështje jam prirë nga arsyeja e shëndoshë. Askush nuk ka të drejtë t’ia ndalë Kosovës të drejtën për të qenë shtet i barabartë me çdo shtet tjetër të kontinentit. Askush s’ka të drejtë t’ua humbasë qytetarëve të drejtën që të ndihen qytetarë evropianë duke pasur të drejtën për t’iu qasur Gjykatës Evropiane për të drejtat e njeriut e dhjetëra mekanizmave të tjerë që e përbëjnë makinerinë diplomatike panevropiane”, ka thënë ai.

Kurti ka thënë se më 22 mars Komiteti i Asamblesë së Përgjithshme të KiE-së mban mbledhje të jashtëzakonshme, e kah mesi i prillit mblidhet Asambleja e Përgjithshme. Në fund të majit do të jetë mbledhja e Këshillit të ministrave që vendos për anëtarësimin e Kosovës ose jo.

Kreshnik Ahmeti, zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Jashtme, ka thënë se ky kriter ka qenë i vetmi që i ka ngelur Kosovës që nga janari. Sipas tij, as në kabinetin qeveritar nuk ka pasur konsensus për këtë vendim.

Procesi gjyqësor për çështjen se kujt i takojnë 24 hektarë tokë dhe pyje kishte zgjatur nga viti 2000 deri në vitin 2016, kur Gjykata Kushtetuese pati vendosur në favor të Manastirit.

Gjykata Kushtetuese, asokohe, hodhi poshtë vendimin e Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, të vitit 2015, për kthimin e lëndës në Gjykatën Themelore në Deçan dhe konstatoi se vendimi i mëparshëm i Supremes në vitin 2012, i cili vërtetonte pronësinë e Manastirit mbi tokën e kontestuar, është gjykim i formës së prerë.

Para rreth tri vjetësh, Gjykata Kushtetuese deklaroi se vendimi i saj nuk është duke u zbatuar. Në këtë vendim, Kushtetuesja thekson se nuk ka juridiksion të vlerësojë përgjegjësinë për mosekzekutimin e një vendimi të Gjykatës nga organet përgjegjëse, por që një vlerësim i tillë i takon Prokurorit të Shtetit, në pajtim me Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

Çështja e pronës në Manastirin e Deçanit kishte krijuar mosmarrëveshje me autoritetet lokale në Deçan, edhe për ndërtimin e rrugës kryesore Deçan - Plavë. Punimet për ndërtimin e kësaj rruge fillimisht janë zhvilluar përmes Zonës së Mbrojtur të Manastirit dhe janë ndërprerë disa herë me kërkesë të Qeverisë së Kosovës dhe të bashkësisë ndërkombëtare. Ndërkaq para rreth katër vjetësh, një Këshill i përbërë nga përfaqësues të Qeverisë, Kishës Ortodokse Serbe dhe bashkësisë ndërkombëtare, kishin miratuar një marrëveshje për ndërtimin e një rruge alternative.


Kurti ka kritikuar heshtjen ndërkombëtare për djegien e lokaleve të nënkryetares së Zveçanit. Heshtja e tillë, sipas Kurtit, është dekurajuese për viktimën e inkurajuese për agresorin.

Ai ka ndërlidhur këtu edhe pamjet e terroristit Milan Radoiçiqi duke grushtuar ish-kryetarin e komunës paralele të Mitrovicës së Veriut e fotografinë e tij me ambasadorin e Serbisë në SHBA, Marko Gjuriq.

“As këto nuk ndodhën në vakum. Në njërën anë, këto paraqesin përpjekjet e vazhdueshëm të Serbisë me Rusinë për destabilizimin e Kosovës dhe rajonit, por janë edhe pasojë direkt e mosndëshkimit të Serbisë për sponsorizimin dhe orkestrimin e sulmit terrorist të paramilitarëve të Serbisë në Banjskë. Milan Radoiçiqi është i lirë dhe i mbrojtur në Serbi e nga Serbia”, ka thënë Kurti në mbledhjen e Qeverisë.

Ai ka thënë se Kosova ka dëshmuar se bën përpjekje për të shtrënguar e avancuar lidhjet me partnerët, në veçanti me SHBA-në.