Arbëri

Dy dëshmitarë deklarojnë se janë rrahur nga ish-polici i Serbisë, i akuzuar për krime lufte

Descriptive Text

Dy dëshmitarë kanë dëshmuar se Ekrem Bajroviqi, i akuzuar për krime lufte në rajonin e Istogut, i ka rrahur. Njëri prej tyre ka thënë se Bajroviqi e rrahu bashkë me dy policë të tjerë derisa fytyra iu gjakos.

Dëshmitari F.G. dhe Beqir Zogaj nga rajoni i Istogut e kanë akuzuar të pandehurin Ekrem Bajroviqi se i ka rrahur gjatë luftës.

F.G., të cilit trupi gjykues vendosi t’ia mbrojë identitetin me kërkesë të prokurorisë, dëshmoi se prej goditjeve me grushte nga i pandehuri, i ka humbur dy dhëmbë.

“Sa u përket dhëmbëve a mund t’i tregoni gjykatës sa dhëmbë të janë thyer?”, ka pyetur prokurori special Ilir Morina.

“Dy”, u përgjigj dëshmitari.

Prokurori e pyeti nëse i ka zëvendësuar ata dhëmbë.

“Jo, sot e kësaj dite nuk i kam, jam pa ta sepse s’i kam pasur mundësitë t’i zëvendësoj”, u përgjigj dëshmitari.

E dëshmitari Beqir Zogaj ka thënë se ka marrë goditje prej të pandehurit Bajroviqi, pastaj prej një serbi që e ka identifikuar si Vesko dhe një person të nacionalitetit boshnjak me emrin Sadrija Shutkoviq, e që ishte i uniformuar si polic i Serbisë.

Dëshmitari Zogaj u shpreh se fillimisht ata i shkuan në shtëpi, Kaliqan, në mes të majit 1998 dhe i kërkuan që ai ta hapë dyqanin e të vëllait. Sipas tij, ai u tregoi tre policëve se dyqanin e mban vëllai, që në atë kohë ishte në Pejë.

Më pas, siç dëshmoi Zogaj, ata u inatosën, bastisën shtëpinë e tij dhe pasi nuk gjetën asgjë, e rrahën në rrugën para shtëpisë së tij.

“Kur jam dal në rrugë m'kanë sjellë dyt. Vesku e ka hekë kallashin prej vetit edhe m’sillke si bokser. Kallashin ja ka dhanë Sadrisë. Me shkelm edhe me kondak m'gjujke prej Veskut. Derisa m'kan ba me gjak me vesh e hunë e me krye”, tha Zogaj.

Avokati i Bajroviqit, Lubomir Pantoviq, shprehu vërejtje për dëshmitë e dëshmitarëve. Pantoviqi u shpreh se veprimet inkriminuese të përmendura nga të dy dëshmitarët nuk janë të përfshira në aktakuzë, prandaj sipas tij, nuk kanë relevancë në raport me çështjen penale.

Ekrem Bajroviqi akuzohet për krime lufte kundër popullatës civile gjatë periudhës 1998-1999 në rajonin e Istogut. Ndër të tjera, akuzohet për përfshirje në vrasje, keqtrajtim, torturë e plaçkitje të refugjatëve në Saradran më 8 maj 1999, ku u vranë mbi 150 civilë shqiptarë. Prokuroria e akuzon atë edhe për pjesëmarrje në kidnapim e keqtrajtim të 84 civilëve shqiptarë më 7 maj 1999 në Gurrakoc e fshatra përreth.