Arbëri

“Z-Mobile” fitoi afro 150 milionë euro nga kontrata me Telekomin

Descriptive Text

Marrëveshja e aprovuar më 2008-n nga Bordi i Drejtorëve të Telekomit dhe e vënë në zbatim më 2010-n për operatorin virtual i hapi rrugën kompanisë “Dardafon.net” që brenda 10 vjetëve të sigurojë fitime prej 102 milionë eurosh duke shfrytëzuar rrjetin e Telekomit. Pas përfundimit të kontratës, kjo kompani që në treg operon me emrin “Z Mobile” fitoi edhe 45.7 milionë të tjerë, dëmshpërblim nga proceset gjyqësore

Ishte 16 janari i 2009-s, kur Shyqyri Haxha e Blerim Devolli kurorëzuan lidhjen mes Telekomit dhe “Dardafonit”. Atë ditë u nënshkrua marrëveshja për operatorin virtual mobil mes ish-kryeshefit të Telekomit dhe pronarit të “Dardafonit”.

Por procesi pati nisur më herët. Më 2007-n, kur Telekomi udhëhiqej nga Etrur Rrustemi e në krye të bordit ishte Ilir Salihu, u bë thirrja për atë që quhej mundësi atraktive për operatorët mobilë virtualë. Këtë e shfrytëzoi “Dardafoni”, jo vetëm për ta shfrytëzuar rrjetin e Telekomit, por edhe për të kërkuar dëmshpërblim.

20 tetorin e 2008-s kontrata u aprovua nga Bordi i Drejtorëve, në krye të të cilit ishte Rexhë Gjonbalaj.

“Dardafonit”, që ishte aktiv që nga janari i 2010-s, iu ofruan 200 mijë numra telefoni, për të cilët fitimi iu la atij, fillimisht në shkallë 78 për qind e më pas 73 për qind.

Gjatë 10 vjetëve të kontratës, sipas një studimi të Telekomit, Devolli i fitoi 102 milionë euro, e nga dy procese të arbitrazhit edhe 45.7 milionë të tjerë.

Me gjithë fitimet, “Dardafoni”, i njohur si “Z-Mobile”, nuk ishte i kënaqur me zbatimin e kontratës. Më 2015-n e nxori PTK-në në Arbitrazh me arsyetimin se nuk e furnizoi me SIM kartela e me numra, se nuk ia ofroi shërbimet 3G e 4G, si dhe për ulje të cilësisë së shërbimeve.

Më 9 dhjetor të 2016-s, Tribunali i Arbitrazhit vendosi në favor të “Z-Mobile”, duke e obliguar Telekomin që t’i alokonte numeracion shtesë “Z-Mobilies”, si dhe t’i ofronte shërbimet 3G e 4G.

Ish-kryeshefi i PTK-së, Agron Mustafa, në një paraqitje për media pak muaj pas vendimit të Arbitrazhit, i shoqëruar nga pronari i “Z-Mobile”, Blerim Devolli, pati thënë se me “Devollët” janë dakorduar që borxhi i përcaktuar me vendimin e Arbitrazhit t’i falet.

Por, bazuar në atë që është diskutuar mes dy palëve në një seancë gjyqësore, del që deklarata e menaxhmentit të Telekomit ka qenë mashtrim dhe se Devolli asnjëherë nuk është pajtuar t’ia falë borxhet PTK-së.

“Z-Mobile” e pati fituar edhe betejën e dytë në Arbitrazh ndaj Telekomit. Më 30 korrik të 2019-s, ish-kryetarja e Bordit të Telekomit, Besa Shatri-Berisha, njoftoi se kontrata me “Z-Mobile” nuk do të vazhdohet.

Por, pas kësaj, kjo kompani ushtroi padi në Arbitrazh, duke i fituar edhe mbi 11 milionë euro të tjerë, me pretendimin për shkelje gjatë fazës së negocimit të marrëveshjes.

Për një dekadë, llogaritë e Telekomit u bllokuan për disa herë në emër të borxhit nga këto dy procese gjyqësore, duke rrezikuar ofrimin e shërbimeve dhe të pagave për punëtorët.

Së fundmi, një vendim i Komerciales e la në fuqi urdhrin përmbarimor të lëshuar më 2019-n, i cili i hap rrugë bllokimit të llogarive bankare dhe e detyron atë që të paguajë edhe një shumë mbi 5.7 milionë euro.

Vendimi është kundërshtuar nga drejtues të Telekomit, të cilët paralajmëruan masa ligjore për të.