Arbëri

Dy persona pranojnë fajësinë për huliganizëm në protestën në Zveçan

Radosh Petroviq dhe Dushan Obrenoviq kanë pranuar fajësinë për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në protestat e 29 majit të vitit të kaluar në Zveçan. Të dy janë dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me nga gjashtë muaj burgim, ndërsa njërit kjo masë i është zëvendësuar me gjobë 6 mijë euro. Për shkak të periudhës së kaluar në paraburgim, Obrenoviq llogaritet të ketë përfunduar periudhën për sa është dënuar, ndërsa Petroviq do të paguajë gjobë pasi ka mbajtur vetëm 25 ditë paraburgim më herët.

Pranimin e fajësisë dhe marrëveshjen me Prokurorinë Speciale e ka konfirmuar avokati i tyre, Asdren Hoxha.

“Kemi lidhur marrëveshje për pranim të fajësisë për të dy të akuzuarit për vepër penale ‘pjesëmarrja në turmë e cila kryen vepër penale – huliganizëm’ për të cilën përcaktohet dënim nga gjashtë muaj deri në 5 vjet sipas ligjit. Radosh Petroviqit gjashtë muaj burgim i janë zëvendësuar me gjobë në shumë prej 6 mijë eurosh, gjersa i ka mbajtur 25 ditë paraburgim më herët. Ndërsa Dushan Obrenoviq është dënuar me gjashtë muaj burgim efektiv, i cili e ka mbajtur në paraburgim më herët”, ka thënë Hoxha për KOHËN.

“I akuzuari R.M është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë (6) muaj, i cili dënim me pëlqimin e të akuzuarit është zëvendësuar në dënim me gjobë, në shumë prej gjashtë (6) mijë euro, në këtë dënim të njëjtit do t’i llogaritet koha e kaluar nën masën e paraburgimit, ku për secilën ditë qëndimi do të llogaritet shuma prej njëzet (20) euro. I akuzuari D.O është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë (6) muaj, në të cilin dënim do t’i llogaritet koha e kaluar nën masën e paraburgimit. Të akuzuarit obligohen që t’i paguajnë shpenzimet e procedurës sipas llogaritjes së shpenzimeve të gjykatës, obligohen të paguajnë nga 200 euro për paushallin gjyqësor secili veç e veç, si dhe shumën nga 50 euro, për fondin për kompensimin e viktimave të krimit”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore pasditen e së martës.

Petroviq dhe Obrenoviq akuzoheshin se më 29 maj 2023 afër objektit të Komunës së Zveçanit kanë marrë pjesë në grupin e turmës me qëllim të kryerjes së veprave penale serioze. Ata akuzoheshin se kanë refuzuar urdhrat e ushtarëve të KFOR-it për shpërndarje të qetë të turmës dhe refuzim të hyrjes në objektin e komunës. E me rastin e arrestimit të tyre, sipas aktakuzës protestuesit e tjerë kanë ushtruar dhunë të pakontrolluar me mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara si dhe armë zjarri nga të cilat janë lënduar të paktën 30 pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të KFOR-it, tre nga ta nga predhat e armëve të zjarrit.