Arbëri

BDI: Janë mbledhur nënshkrimet e nevojshme për kandidaturën e Bujar Osmanit për president

Bashkimi Demokratik për Integrim ka thënë se kandidati i kësaj partie për zgjedhjet presidenciale në Maqedoni të Veriut, Bujar Osmani, ka mbledhur 10 mijë nënshkrimet që i janë dashur për ta konfirmuar kandidaturën.

“Shprehim mirënjohje të thellë ndaj çdo qytetari që vendosi nënshkrimin e tij në qendrat rajonale të KSHZ-së duke dhënë mbështetje për kauzën tonë të re, e drejtë plotësisht legjitime për Presidentin e parë shqiptar. Procesi do të vazhdojë të jetë i hapur që çdokush që ka dëshirë të shprehë përkrahjen për kandidaturën më gjithëpërfshirëse, atë të Dr. Bujar Osmanit. Bashkë le t’i prijmë referendumit më të rëndësishëm të kohës për të miratuar ndryshimet kushtetuese për përzgjedhjen e Presidentit me 2/3 e votave në Kuvend dhe me shumicë të Badenterit dhe për të miratuar amandamentet e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë që të vazhdojmë rrugën e integrimit europian. Le t’i themi bashkë JO Rusisë, PO Europës!” – thuhet nga BDI-ja.

BDI-ja ka propozuar ministrinë e Jashtëm aktual të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, për president. Ndërsa kandidat i opozitës shqiptare është Arben Taravari.

VMRO-DPMNE ka propozuar Gordana Siljanovska Davkovan si kandidate për presidente.