Nga 13 ministritë e Qeverisë së Kosovës, tetë prej tyre kanë treguar performancë të mirë dhe pesë të tjera kanë treguar performancë të kufizuar në zbatimin e reformave evropiane në vitin 2023, thuhet në Barometrin e Reformave Evropiane të prezantuar sot nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Instituti i Kosovës për Politika Evropiane (EPIK).
Ky barometër ka vlerësuar performancën e Qeverisë së Kosovës, përkatësisht ministrive relevante në zbatimin e reformave të Bashkimit Evropian.
Në “Edicionin e Parë” të Barometrit, që përfshin periudhën janar-dhjetor 2023, pjesë e vlerësimit kanë qenë 13 ministri (nga 16 sa janë gjithsej, përfshirë Zyrën e Kryeministrit).
Zëvendësja e shefit të BE-së në Kosovë, Eva Palatova, ka thënë se barometri është mjet i dobishëm për të forcuar dialogun ndërmjet shoqërisë civile, Qeverisë dhe BE-së.
Ndërsa ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se Barometri është përmbledhje shumë e mirë ku shpjegohet thjesht puna e Ministrisë e që do të jetë e dobishme edhe për vetë Ministrinë.
Drejtori i Institutit EPIK, Demush Shasha, ka thënë se rruga e integrimit të Kosovës është pezulluar nga prilli i vitit 2016, duke mos pasur asnjë përparim.
Qeveria është vlerësuar me 51 nga 100 pikë totale.
Tetë ministritë me performancë të mirë janë:
Ministria e Ekonomisë me 64 pikë;
Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës me 64 pikë;
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit me 60 pikë;
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rajonal me 60 pikë;
Ministria e Punëve të Brendshme me 56 pikë;
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë me 56 pikë;
Ministria e Drejtësisë me 53 pikë; dhe
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve me 53 pikë.
Pesë ministritë me performancë të kufizuar janë:
Ministria për Kthim dhe Komunitete me 46 pikë;
Ministria e Shëndetësisë me 45 pikë;
Zyra e Kryeministrit me 39 pikë;
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve me 36 pikë; dhe
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal me 29 pikë.