Ligjëruesi i Politikës Sociale, Artan Mustafa, ka thënë se të dhënat e Organizatës Ndërkombëtare të Migrimit tregojnë se Kosova është vendi i parë në Evropën Lindore dhe Juglindore për net-migrim (emigrim që nuk kompensohet me ardhjen e banorëve të tjerë).
Të enjten në “Interaktiv” të KTV-së, Mustafa ka thënë se historikisht, Shqipëria ka qenë vendi me emigracionin më të lartë, mirëpo vitet e fundit është tejkaluar nga Kosova.
“Të dhënat prej Organizatës Ndërkombëtare të Migrimit tregojnë se Kosova është vendi i parë në Evropën Lindore, Juglindore dhe përfshirë Azinë Qendrore, sa i takon net-emigrimit. Emigrimi i cili nuk po kompensohet me ardhjen e banorëve të tjerë. Shqipëria ka qenë historikisht vend me emigracion shumë të lartë te popullatës, mirëpo vitet e fundit Kosova ka emigracion më të madh se Shqipëria. Shqipëria dhe Kosova janë dy shtetet me popullsinë më të madhe që ka leje qëndrim në Bashkimin Evropian në vitin 2021. Afërisht 20 për qind e popullatës së Kosovës duke pritur të marrë nënshtetësinë në Bashkimin Evropian”, ka thënë ai.
Sipas Mustafës, vendi po përballet me një krizë të thellë, e cila po manifestohet me zbrazje të popullsisë.
“Po përballemi me një krizë shumë të thellë, krizë që po e gërryen shtetësinë e Kosovës së brendshmi. Kosova përballet me krizë shumë të madhe, manifestimi më i dukshëm i së cilës është emigracioni tepër i madh”, ka theksuar ai.
Duke folur për pabarazinë sociale, Mustafa ka thënë se nga kjo përfiton kryesisht shtresa që punon për Qeverinë.
“Të dhënat na tregojnë se diku 35 për qind e të ardhurave prej rrogave në Kosovë përfundojnë te punëtorët e Qeverisë. Në Bashkimin Evropian, kjo shifër është nën 15 për qind. Në shtetet më të zhvilluara ajo shkon duke u zvogëluar”, është shprehur ai.