Arbëri

Vdiq doktori Refik Ramku

Ka vdekur të enjten, në moshën 83-vjeçare, doktori e profesori i njohur, Refik Ramku. Lajmin për vdekjen e tij e kanë bërë të ditur familjarët nëpërmjet rrjeteve sociale.

“Me zemër të rënduar dhe pikëllim të thellë, ju njoftojmë për ndarjen nga jeta e më të dashurit tonë Prof. Dr. Sci Refik Ramku. E humbëm një familjar të dashur, mentor, mik dhe profesor doktor të respektuar në fushën e tij. Babi na la sot herët në mëngjes duke lënë pas një trashëgimi të pasur dije dhe kujtime të paharrueshme. Në shenjë respekti dhe dashurie për jetën dhe arritjet e tij, ju ftojmë të na bashkoheni në ceremoninë e varrimit, e cila do të mbahet nesër me datën 23.02.2024 në drekë, në ora 12:00”, ka njoftuar vajza Merita Ramku në Facebook.

Po ashtu të hënën do të mbahet një mbledhje komemorative nga ora 9 në Dekanatin e Fakultetit të Mjekësisë.

Ramku lindi në Peshkopi të Shqipërisë, ndërsa shkollën fillore e përfundoi në Dibër e të mesmen në Beograd. Kreu Fakultetin e Mjekësisë në Beograd në vitin 1968. Punoi si mjek në Strugë dhe Gjilan, para se të punonte në Prishtinë në Klinikë të ORL-së dhe po ashtu të specializonte në Beograd në ORL. Ai kishte specializuar në Tubingen të Gjermanisë në operime mikroskopike në otologji. Ai ka mbi 30 publikime shkencore.