Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, e ka prezantuar Bujar Osmanin si kandidatin për president në zgjedhjet presidenciale që pritet të mbahen në prill.
Rundi i parë i zgjedhjeve presidenciale pritet të mbahet më 24 prill, ndërsa rundi i dytë së bashku me ato parlamentare mbahen më 8 maj në Maqedoni.
Shqiptarët do të kenë dy kandidatë për president. Osmani nga BDI-ja dhe Arben Taravari i opozitës do të jenë kandidatë shqiptarë për president të Maqedonisë së Veriut. Iu duhen 10 mijë nënshkrime për ta zyrtarizuar kandidaturën. Afati hapet më 23 shkurt.
Nëpërmjet një video në Facebook, Ahmeti ka thënë se ish-ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, e ka dëshmuar vetën si politikan dhe tani është koha për betejën e radhës.
“Bujari ka dëshmuar vetën në skenën vendore dhe ndërkombëtare dhe ka ngadhnjyer në betejën kundër Rusisë si dhe ka qenë pjesë e ekipit tonë për ndryshimin e Kushtetutës, anëtarësimin në NATO dhe nisjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Me Bujarin po e nisim referendumin më të rëndësishëm të kohës dhe betejën e radhës për ta fituar besimin tuaj që ta zgjedhim Presidentin në Kuvend me shumicë të dy të tretave të votave dhe me Badinter, për të realizuar vizionin tonë për President konsensual”, ka thënë Ahmeti.
Kryetari i BDI-së ka prezantuar edhe sloganin e zgjedhjeve që do të jetë “Jo Rusisë, Po Evropës”.
Ahmeti ka thënë se nuk do të jetë pjesë e asnjë qeverie që nuk bën ndryshimet kushtetuese. Ka kërkuar që të bëhen ndryshime që Kuvendi ta zgjedhë presidentin me 2/3 e votave. Aktualisht, në Maqedoni presidenti zgjidhet me votat e qytetarëve.
Zgjedhjet presidenciale shkojnë në dy runde. Në rundin e dytë apo të balotazhit shkojnë dy kandidatët më të votuar.