Arbëri

Vitia në pritje të raporteve për vdekjen e katërvjeçares në Gjakovë

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se është në pritje të raporteve finale për vdekjen e katërvjeçares në Gjakovë.

Vajza katërvjeçare, siç ka bërë të ditur Policia në raportin 24-orësh, po trajtohej në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës që nga 17 shkurti. Më 19 shkurt ajo vdiq, ndërsa trupi i saj është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Familjarët janë ankuar për neglizhencë nga Spitali i Gjakovës. Organizata të shoqërisë civile kanë thënë se rasti ka ngritur shqetësime serioze lidhur me standardet e praktikës mjekësore dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.

Vitia ka kërkuar raporte nga institucionet shëndetësore në të cilat është trajtuar katërvjeçarja.

Inspektorati i Shëndetësisë, sipas Vitisë, ka dalë në terren dhe së bashku me institucionet përgjegjëse janë duke punuar në zbardhjen e këtij rasti.

“Natyrisht, na ka prekur të gjithëve se është një rast shumë i rëndë dhe jemi jashtëzakonisht shumë të pikëlluar. Me të marrë vesh, kam kërkuar menjëherë te drejtoria e SHSKUK-së raporte nga Spitali i Përgjithshëm në Gjakovë dhe nga të gjitha institucionet e nivelit sekondar dhe terciar që kanë trajtuar vajzën katërvjeçare. Në të njëjtën kohë, Inspektorati i Shëndetësisë ka dalë në këto institucione dhe është edhe sot aktiv në këtë drejtim dhe të njëjtin kohë po presim raportet e fundit nga ekspertiza mjeko-ligjore që ti kemi të gjitha informacionet e sakta në fund. Për momentin natyrisht çkado që mund të them mund të gaboj sepse pa raportet që i përmenda dhe pa ekspertizën mjeko-ligjore por edhe hetimet nga njësia hetuesisë dhe prokuroria, nuk mund të përgjigjem nëse ka pas diçka në këtë drejtim”, ka thënë ai për EO.