Arbëri

Kërkohen hetime e veprime të menjëhershme për vdekjen e 4-vjeçares nga Gjakova

Shoqëria civile ka kërkuar hetime dhe veprime të menjëhershme për rastin e vdekjes së një vajze katërvjeçare nga Gjakova.

Vajza 4-vjeçare, siç ka bërë të ditur Policia në raportin 24-orësh, po trajtohej në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës që nga 17 shkurti. Më 19 shkurt ajo vdiq, ndërsa trupi i saj është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Familjarët janë ankuar për neglizhencë nga autoritetet. Organizata të shoqërisë civile kanë thënë se rasti ka ngritur shqetësime serioze lidhru me standardet e praktikës mjekësore dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.

“Jemi thellësisht të tronditur dhe të shqetësuar nga ngjarja tragjike e fundit në Gjakovë, ku një vajzë e re 4 vjeçare humbi jetën në rrethana që sugjerojnë një neglizhencë të rëndë mjekësore dhe diskriminim të mundshëm. Kjo ngjarje e rëndë nuk ka lënë vetëm një familje në dhimbje të papërballueshme, por ka ngritur edhe shqetësime serioze në lidhje me standardet e praktikës mjekësore dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në shoqërinë tonë. Vajza e vogël, raportohet të jetë pjesëtare e një komuniteti etnikisht të marginalizuar, e cila ju nënshtrua një sulmi të dhunshëm, duke marrë lëndime që kërkonin kujdes mjekësor të menjëhershëm dhe të kujdesshëm. Fatkeqësisht, pretendimet sugjerojnë se përgjigja mjekësore që ajo kishte marrë ishte shumë e jo-adekuate, duke ngritur pyetje në lidhje me faktorë si diskriminimi etnik dhe sa ka luajtur rol kjo në nivelin e kujdesit të dhënë”, thuhet në reagim të disa organizatave joqeveritare.

Deklarata e YIHR KS-së, Handikosit, CEL-it, IKD-së, QKSGJ, VORAE dhe NSI-së e konsideron të domosdoshëm hetimin e hollësishëm dhe transparent në rrethanat që çuan në vdekjen e vajzës. Është kërkuar ekzaminim i reagimeve mjekësore që ka marrë vajza.

“Ne bëjmë thirrje tek autoritetet lokale dhe kombëtare të marrin masa të menjëhershme për të hetuar plotësisht këtë çështje. Është e rëndësishme që ky hetim të kryhet në mënyrë transparente, duke mbajtur përgjegjëse çdo palë që konstatohet të ketë qenë neglizhente për veprimet e tyre. Gjithashtu, kjo ngjarje duhet të shërbejë si një katalizator për ndryshime sistematike në sistemin tonë të kujdesit shëndetësor dhe shoqëror për të siguruar që çdo fëmijë të marrë kujdesin dhe mbrojtjen që i takon”, thuhet në reagim.

Për rastin ka reaguar edhe koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF).

“Kjo ngjarje e paprecedent ngre pikëpyetje serioze për përmbushjen e përgjegjësive njerëzore, mjekësore dhe etike të profesionistëve të kujdesit shëndetësor. Sipas raportimeve dhe dyshimeve të ngritura nga prindërit e vajzës, të cilat janë transmetuar në media, e ndjera dyshohet se ka pësuar një sulm nga dy fëmijë të tjerë, duke u goditur me forcë në pjesën e shpinës dhe gjoksit, gjë që ka çuar edhe në rrëzimin e saj në rrugë. Megjithë gjendjen e rënduar të fëmijës, prindërit janë shprehur se përgjigja mjekësore ndaj gjendjes së saj ka qenë e pamjaftueshme. Ata pretendojnë se gjatë ditës së djeshme kanë kërkuar disa herë ndihmë mjekësore për vajzën e tyre, por kanë marrë vetëm disa këshilla sipërfaqësore nga ekipi mjekësor, duke nënvlerësuar tragjikisht ashpërsinë e gjendjes së saj. Sipas prindërve, vajza nuk ka marrë një ekzaminim të plotë mjekësor dhe trajtimi i duhur i saj është neglizhuar duke shkaktuar fatalitet, gjë që ngre shqetësim dhe pikëpyetje të thella në lidhje me etikën profesionale të personelit mjekësor”, është thënë nga KOMF-i.

KOMF ka bërë thirrje që institucionet përgjegjëse të trajtojnë me prioritet absolut rastin dhe të marrin veprime të menjëhershme.

“Kërkojmë vëmendjen e menjëhershme institucionale ndaj neglizhencës së supozuar mjekësore dhe pasojave të saj fatale. Kërkojmë nga autoritetet përkatëse që të kryejnë një hetim të plotë dhe transparent për praktikat mjekësore të ndjekura në këtë rast, duke siguruar llogaridhënie të plotë nga institucionet lokale. Kërkojmë zbatimin e plotë të legjislacionit në fuqi dhe ndërmarrjen e të gjitha masave sipas rezultateve të hetimit, për të parandaluar tragjedi të tilla në të ardhmen. KOMF do të vazhdojë të ndjekë nga afër procedimin më tej të këtij rasti nga ana e institucioneve dhe do të vazhdojë të kërkojë llogaridhënie prej tyre, duke çuar ku duhet përgjegjësinë kolektive për të garantuar se fëmijët tanë zhvillohen në mjedis të sigurt dhe përkujdesës, ku të drejtat e tyre themelore mbrohen dhe janë themel i zhvillimit të shoqërisë”, thuhet nga KOMF.

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë ka thënë se rasti tregon brishtësinë e sistemit shëndetësor, mungesën e profesionalizmit dhe neglizhencën e një pjese të stafit shëndetësor.

“Ftojmë Prokurorinë e Shtetit, Inspektoratin Shëndetësor dhe Odat e Profesionistëve Shëndetësor që ta hetojnë këtë rast, ta gjykojnë dhe ta dënojnë në përputhje me shkeljet e evidentuara. Ky rast tregon mirë brishtësinë e sistemit shëndetësor, mungesën e profesionalizmit dhe neglizhencën e një pjese të stafit shëndetësor në menaxhimin e rasteve. Rastet si ky flasin për një pasiguri të sistemit të cilat shkojnë në dëm të pacientëve. Të vdes fëmija brenda ditës dhe të kemi deklarata kontraverse rreth shkakut, kjo është e papranueshme. Falënderojmë mediat për sensibilizimin e këtij rasti, por, këtu ngrihen pikëpyetje, sa raste të tjera si ky mund të vdesin në heshtje dhe shkaktarët e vdekjeve t’i mbuloj dheu!?” – është thënë nga Shoqata.

Në Prokurorinë Themelore të Gjakovës kanë thënë se është iniciuar “rast i hetimit të vdekjes”. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion. “Në koordinim me policinë janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet lidhur me këtë rast”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Spitali i Përgjithshëm në Gjakovë përmes një reagimi të mërkurën ka thënë se për vdekjen e 4-vjeçares pati mbikëqyrje profesionale mjekësore.