Një i moshuar që ka pasur probleme me frymëmarrje si pasojë e zjarrit që ka shpërthyer të hënën në mbrëmje në Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë, është ende duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitar të Kosovës (QKUK).
Ndërkohë që 56 banorët e tjerë të kësaj shtëpie janë zhvendosur nga aty dhe janë duke qëndruar ende në një hotel në Prishtinë.
Një pjesë e katit të dytë të Shtëpisë së të Moshuarve në Prishtinë është djegur.
Dëme materiale të shkaktuara nga zjarri pritet të rregullohen, por që ende nuk dihet se kur të moshuarit do të mund të rikthehen aty.
Sipas drejtoreshës Raze Alickaj, dyshimet e para janë se zjarri është shkaktuar pasi një i moshuar ka lënë të ndezur një cigare.
Alickaj ka deklaruar se gjendja shëndetësore e të moshuarve është e mirë, derisa ka thënë se dëmet materiale do të rregullohen.
“Fatmirësisht nuk kemi pasur të lënduar, as raste tjera më të rënda. Rezidentët i kemi dërguar në një hotel afër në Prishtinë, gjendja e tyre është e mirë ... Për ta ruajtur shëndetin e tyre, ata janë evakuuar, sot menjëherë kanë nisur punimet, pastrimi dhe ka ardhur edhe ndërmarrja publike banesore, besoj që rregullohet gjendja e objektit shpejt dhe banorët kthehen në shtëpinë e tyre dhe në dhomat e tyre”, ka deklaruar Aliqkaj.
Ndërkaq, zëdhënësi i komunës së Prishtinës, Donat Lushaku, ka theksuar se objekti do të dezinfektohet dhe lyhet, e pastaj do të kthehen të moshuarit.
“Tashmë të 57 të moshuarit janë të vendosur në një hotel në Prishtinë deri sa të rregullohet gjendja dhe pastaj të kthehen në shtëpinë e të moshuarve. Ka dëme materiale, një pjesë e konsiderueshme e objekteve që gjenden aty, ndërsa dëme në njerëz nuk ka, banorët janë në gjendje të mirë, përveç një rasti që është duke u trajtuar në QKUK. 05:00 Ndërhyrja do të bëhet në kuptimin e dezinfektimit, pastrimit dhe lyerjes së asaj pjese dhe pastaj ekspertët e policisë dhe zjarrfikësve do të vendosin se kur do të kthehen të njëjtë, do t’iu lajmërojmë”, është shprehur Lushaku.
E nga QKUK-ja thanë se gjendja e të lënduarve mbrëmë nga zjarri në Shtëpinë e të Moshuarve është stabile dhe që të gjithë janë liruar nga QKUK, dhe janë marrë nga ekipet mjekësore të Komunës së Prishtinës.
Kështu ka konfirmuar për Kosovapress, drejtori i Klinikes Emergjente në Prishtinë, Naser Syla.
Ai theksoi se të lënduarit mbrëmë kanë pasur shenja asfiksimi nga tymi.
"Te gjithë të pranuar mbrëmë nuk kanë pasur lëndime, por vetëm shenja asfiksimi nga tymi. Të gjithë janë liruar dhe janë marrë nga ekipet mjekësore të Komunës së Prishtinës", theksoi Syla në një përgjigje me shkrim për KosovaPress.