Arbëri

Dënohet me 4 vjet burgim personi që hodhi shishe benzine në garazhin e gazetarit të RTK-së

Descriptive Text

Gjykata e ka dënuar Arsim Limanin me 4 vjet burgim për veprën penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

Sipas aktakuzës nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, në mars 2023 se në garazhin që është ngjitur me shtëpinë e tani të dëmtuarit Alban Selimi, në Fushë-Kosovë, i akuzuari Arsim Limani nga motive deri më tani të panjohura, ka tentuar që ta privojë nga jeta të njëjtin, i cili në ato momente nuk ishte në shtëpi, duke rrezikuar jetën e anëtarëve të tjerë të familjes, përkatësisht bashkëshortes së tij dhe dy fëmijëve.

Këtë tentativë, i akuzuari thuhet se e ka bërë pasi është afruar tek dera e garazhit dhe aty ka hedhur një shishe benzinë të ndezur, ku flaka ka përfshinë garazhin, e nga temperatura e lartë është dëmtuar vetura e të dëmtuarve.

Avokati i Alban Selimit, Kujtim Kërveshi, tha se dënimi është i merituar dhe se e kanë pritur që “tentim vrasja” të ricilësohet si “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”. Ndërsa Selimi tha se në këtë proces penal Prokurorisë Themelore të Prishtinës i ka humbur një cd. Ai shprehu shqetësim lidhur me këtë.