Rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) ka hyrë në fuqi sot, ashtu siç ishte thënë nga fillimi.
Kërkesat e ndërkombëtarëve për shtyrjen e zbatimit të kësaj rregulloreje nuk janë marrë parasysh nga institucionet e Kosovës.
Rregullorja ndër të tjera përcakton që në Kosovë të gjitha pagesat duhet të bëhen në euro.
Në vend të kësaj ato kanë paralajmëruar një periudhë tranzitore, e cila do të shfrytëzohet për informimin e qytetarëve e bizneseve që përdorin dinarin.
Qytetarët e bizneset në komunat e banuara kryesisht me shumicë serbe nuk do të ndëshkohen për përdorimin e dinarit.
Megjithëse Rregullorja e re e BQK-së hyn në fuqi të enjten (sot), institucionet e Kosovës do të aplikojnë një periudhë tranzitore, e cila do të shfrytëzohet për informimin e edukimin e qytetarëve për euron.
Në një konferencë për media të mbajtur të mërkurën zv.kryeministri Besnik Bislimi nuk ka treguar se sa e gjatë do të jetë kjo periudhë, derisa ka shtuar se me të do të merren mekanizmat që zbatojnë rregulloret e BQK-së.
Sipas tij, gjatë kësaj periudhe synohet që qytetarët serbë të sigurohen që nuk do të ketë ndalim të mjeteve që marrin nga Serbia
“Një pjesë e saj që mund të ketë impakt te qytetarët të cilët kanë pranuar pagesa ajo pjesë nuk do të përcjellët me penalizime siç do të duhej të vepronte por kjo do të zëvendësohet me informime edukime të masave dhe me biseda të BQK dhe Bankës Qendrore të Serbisë për gjetjen e një mekanizmi për transfere transparent të mjeteve”, ka thënë Bislimi.
Bislimi theksoi se mostransparenca në transferet që bëhen nga Serbia i konvenon presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili deklaron se në Kosovë çdo vit dërgohen 800 milionë euro.