Bashkimi Evropian dhe Gjermania i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës që të mos ndërhyjë në punët e gjyqësorit dhe të mos bëjë presion mbi institucionet gjyqësore.
Në një takim të së martës me kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka-Nimani, shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se “Gjykata duhet të jetë e pavarur dhe e lirë nga ndikimi e presioni politik”.
“Në mënyrë që të ruhet pavarësia e gjyqësorit, është thelbësore që anëtarët e Qeverisë të përmbahen nga deklaratat që rrezikojnë të cenojnë autoritetin dhe pavarësinë e gjyqësorit, si dhe besimin e publikut në të. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohen e zbatohen plotësisht, përfshirë aktvendimin e 19 majit 2015 për rastin e Manastirit të Deçanit”, ka shkruar Szunyog në Twitter.
Në takim ishte edhe shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, që ka thënë se mbështet pavarësinë e Kushtetueses dhe implementimin e vendimeve të saj.
Edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se ndan shqetësimin e njëjtë. Sipas tij “sundimi i ligjit ‘a la carte’ (përshtatje: me përzgjedhje) nuk hap rrugë as drejt Këshillit të Evropës e as drejt Bashkimit Evropian. Përkrahja e Kosovës në rrugën e saj të integrimit evropian është e përzemërt, por Kosova duhet ta bëjë pjesën e vet po ashtu”, ka shkruar ambasadori Rohde.
Qeveria Kurti në disa raste ka kritikuar sistemin e drejtësisë në vend.