Në veri ka mbetur vetëm një komunë pa mbledhur nënshkrimet e nevojshme për të vazhduar procedurat për shkarkimin e kryetarëve të komunave. E në komunën më veriore kanë ndryshuar vlerësimet e sigurisë së policisë ku janë hequr barrikadat metalike te komuna.
Objektit të Komunës së Leposaviqit, komunës më veriore të Kosovës, i janë hequr barrikadat metalike.
Largimi i barrikadave që u vendosën në kohën e protestave të dhunshme vitin e kaluar u bë pas vlerësimit të sigurisë së policisë se situata e sigurisë përreth objektit të komunës nuk i bën ato të nevojshme në objektin ku qytetarët marrin shërbime komunale.
Kjo ndodhi rreth një javë pasi KFOR-i u largua nga objekti i komunës.
“S’ka më nevojë që të jenë aty. Kur të vlerësohet prej Policisë, do të largohen edhe andej (në komunat e tjera). Në komunat ku është prezent KFOR-i, bëhet analiza me KFOR-in e nëse s’është KFOR-i, s’ka nevojë të bëhet analiza me KFOR-in”, tha zëvendësdrejtori i Policisë për veriun, Veton Elshani.
KFOR-i me policinë vazhdojnë të jenë në objektin e Komunës së Zveçanit, ku vitin e kaluar i lënduan 90 ushtarë të misionit.
Para objektit komunal janë dy palë tela me gjemba të vendosur vertikalisht si barrikada. E ky objekt nuk përdoret për të dhënë shërbime komunale.
Objekti komunal i Zubin-Potokut që po ashtu nuk përdoret për shërbime komunale është me barriera metalike.
Në komunën që kryetar e ka Izmir Zeqirin vazhdon mbledhja e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarit, derisa komunat e tjera e kanë përmbyllur mbledhjen e tyre.
Personat që merren me mbledhjen e nënshkrimeve për të ecur më tutje me shkarkimin e kryetarit thonë se nënshkrimet e nevojshme pritet të mblidhen sot.
Ndonëse nuk e përfunduan mbledhjen e nënshkrimeve gjatë së dielës, personat e angazhuar në peticion thanë se i janë afruar në masë të madhe përqindjes së caktuar për mbledhjen e nënshkrimeve.
Në secilën prej katër komunave, në të cilat KQZ-ja konfirmon se peticionet kanë qenë të suksesshme, me mbledhjen e nënshkrimeve të të paktën 20-përqindëshit të trupës elektorale, më pas do të pasojë procesi i votimit për shkarkimin e kryetarëve.
Ky votim duhet të mbahet brenda 45 ditësh, dhe që të jetë i suksesshëm, kërkohen 50 për qind plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote.
Rezultati më pas do t’i dërgohet presidentes Vjosa Osmani, e cila ka afat nga 30 deri në 45 ditë që t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme.