Arbëri

Ish-gardiani serb pranon fajin për armëmbajtje pa leje, mohon akuzat për krime lufte

Dragisha Milenkoviq, ish-gardian i Burgut të Prishtinës e atij të Lipjanit, ka mohuar akuzat për krime lufte në shqyrtimin fillestar që është mbajtur në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Megjithatë, ai e pranoi fajësinë për armët që ia gjeti Prokuroria Speciale gjatë bastisjes në shtëpinë e tij

Ish-gardiani serb, Dragisha Milenkoviq, që akuzohet për keqtrajtim të të burgosurve shqiptarë gjatë luftës, është vetëdeklaruar të mërkurën i pafajshëm para Gjykatës Themelore në Prishtinë për akuzat për krime lufte.

Në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale vitin e kaluar, thuhet se Milenkoviq, ish-gardian i Burgut të Prishtinës dhe atij të Lipjanit, Lubomir Çimburoviq, drejtor i Burgut të Prishtinës, si dhe zyrtarët korrektues, Predrag Bradiq e Milivoje Iviq, kanë keqtrajtuar të burgosur shqiptarë nga 24 maji deri më 10 qershor 1999. Prokurori Atdhe Dema ka thënë se të dëmtuarit në këtë proces penal do të tregojnë për tortura që iu shkaktuan dhimbje të mëdha fizike e ankth.

“I kanë torturuar në mënyrë çnjerëzore me mjete të ndryshme, si shkopinj gome, shufra metalike, kabllo elektrike, gypa të ujit, shkelma e grushte deri në alivanosje, duke iu shkaktuar lëndime trupore, ashtu siç i shpjegojnë vetë viktimat se pas këtyre rrahjeve kishin pasur dhimbje të mëdha në të gjithë trupin, dhunë psikike ashtu që i kanë lënë pa ngrënë gati një javë, i kanë kanosur seriozisht për jetë e si pasojë e kësaj dhe rrahjeve të vazhdueshme kanë pësuar gjendje ankthi dhe frike”, ka thënë prokurori Dema.

Tek e ka lexuar aktakuzën, Dema është shprehur, po ashtu, se të burgosurit janë rrahur në mënyrë sistematike dhe janë kanosur seriozisht me jetë.

“Duke vepruar në kundërshtim dhe duke shkelur rregullat e të drejtës ndërkombëtare gjatë kohës së luftës, përkatësisht konfliktit të armatosur, pasi i kanë transferuar të burgosurit shqiptarë nga Burgu i Dubravës në Burgun e Lipjanit, fillimisht kishin formuar kordon në hyrje të burgut nga të dyja anët, ku të burgosurit ishin detyruar që të kalonin përmes kordonit, kishin filluar që t’i godisnin me mjete të ndryshme si shkopin gome, grushte, shqelma dhe pas kësaj në mënyrë sistematike kishin keqtrajtuar të burgosurit shqiptarë, duke i torturuar në mënyrë çnjerëzore”, ka thënë ai.

Prokurori Dema ka deklaruar se të burgosurit ishin lënë pa ushqim për ditë të tëra e ndaj tyre ishte ushtruar edhe dhunë psikike.

“Ata, po ashtu, i kanë ofenduar e sharë, dhe i kanë kanosur seriozisht me jetë se do t’i vrasin të gjithë, veprime këto të cilat kanë shkaktuar gjendje ankthi dhe frike tek ata dhe njëkohësisht veprime të sanksionuara sipas ligjeve vendore e zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë”, ka thënë prokurori Dema.

I pandehuri Milenkoviq, para trupit gjykues nuk i pranoi akuzat për krime lufte, por ai e pranoi fajësinë për armëmbajtje pa leje.

“Për pikën e parë dhe të dytë jo (nuk e pranoj fajësinë), ndërsa për pikën e tretë për armëmbajtje po (e pranoj)”, ka thënë Dragisha Milenkoviq.

Në shtëpinë e tij në Gracanicë, Prokuroria pati gjetur revole “Crvena Zastava 99”, dhjetëra fishekë, një thikë të llojit “SOG Specialty”, si dhe një shkop metalik të llojit “Taiwan”. Por avokati i Milenkoviqit, Dejan Vasiq, kërkoi që masa e paraburgimit t’i zëvendësohet me arrest shtëpiak. Këtë e kundërshtoi prokurori Atdhe Dema, i cili rikujtoi veprën e rëndë për të cilën akuzohet i pandehuri.

E kryetari i trupit gjykues, Kujtim Krasniqi, vendosi që lidhur me masën e sigurisë do të marrë aktvendim të veçantë jashtë seancës dhe se në aktgjykimin e kësaj çështjeje penale do të vendoset edhe për akuzat për krime lufte e edhe ato për armëmbajtje. Krasniqi ka njoftuar mbrojtjen e të akuzuarit, po ashtu, se i ka 30 ditë afat për paraqitjen e kundërshtimit të aktakuzës dhe provave.

Prezentë në seancën e së mërkurës ishin familjarët e të pandehurit, si dhe një pjesë prej 16 të dëmtuarve që pritet të dëshmojnë në këtë rast. Ndër dëshmitarët e këtij rasti janë edhe kryetari i Malishevës, Ekrem Kastrati, e drejtori i Agjencisë për Komplekse Memoriale, Bislim Zogaj.
Krimet e luftës të kryera në Burgun e Lipjanit janë fakte gjyqësore, meqë janë konfirmuar nga të gjitha shkallët e gjyqësorit të Kosovës.

Zoran Koliq ishte dënuar për keqtrajtim gjatë luftës nga EULEX-i në vitin 2012. Mbrojtja e tij më pas u ankua në të gjitha instancat e rregullta të gjyqësorit, si dhe në Gjykatën Kushtetuese, e cila e shpalli si të papranueshme ankesën e tij më 28 shtator 2015.

E kryeministri Albin Kurti sa ishte deputet opozitar pati folur për një letër të një familjareje të Zoran Koliqit drejtuar deputetëve që pretendonte burgosjen e padrejtë të tij.

Kurti pati deklaruar se vetë Koliqi e kishte torturuar atë.

“E mbaj mend mirë kur na thoshte: cili prej jush do të vdesë sot, meqë numri 13 është fatkeq (sa ishte në dhomën e të burgosurve ku ishim), ti Kurti, këshilltar i Demaçit, apo ti Selim Loku, ushtar i UÇK-së nga Hani i Elezit. Emri i këtij gardiani ishte Zoran Koliq”, pati thënë Kurti në seancën plenare të Kuvendit të mbajtur më 12 korrik 2012.