Arbëri

Gjatë 2023-s, Dogana e Kosovës arkëton 1.661 miliard euro

Dogana e Kosovës

Përfaqësues të Doganës së Kosovës thanë se, krahasuar me vitin e shkuar, në 2023-n janë mbledhur 135 milionë euro më shumë taksa doganore. Agron Llugaliu, drejtor i përgjithshëm i këtij institucioni, foli edhe për konfiskuar mallrash e masa ndaj zyrtarëve doganorë të dyshuar për korrupsion.

Nga taksat e arkëtuara në kufi, buxhetit të shtetit i kanë shkuar sivjet 1 miliard e 661 milionë euro.

Përfaqësues të Doganës së Kosovës thanë në një konferencë shtypi se, krahasuar me vitin e shkuar, në 2023-n janë mbledhur 135 milionë euro më shumë.

Agron Llugaliu, drejtor i përgjithshëm i këtij institucioni, tha se gjatë vitit janë konfiskuar mallrave në vlerë prej 14 milion euro apo 27 për qind më shumë se në vitin e kaluar, por edhe janë marrë masa ndaj zyrtarëve doganorë të dyshuar për korrupsion.

“Dogana i ka kushtuar rëndësi profesionalizimit dhe etikës dhe integritetit të zyrtarëve doganor, andaj sivjet kemi pasur raste që në bazë të hetimeve të doganës së Kosovës të mbledhim prova të mbështesim dyshime për korrupsion ndaj nëntë zyrtarëve doganor të cilët kanë përfunduar të arrestuar dhe të suspenduar nga detyrua zyrtare”, tha Llugaliu.

E ministri i Financave, Hekuran Murati, ka folur edhe për përmirësim të eksporteve e edhe për fuqizim të bizneseve.

“Mund të flasim për një përmirësim të ambientit të bërit biznes por edhe përmirësim të shëndetit të vetë bizneseve që si qeveri jemi munduar vazhdimisht tu dalim në krah qoftë duke i mbrojtur nga luhatjet e tregjeve të jashtme qoftë duke i subvencionuar prodhuesit për pajisje apo për investime në kapacitete prodhuese apo edhe me lehtësua të tjera fiskale”, ka thënë ai.

Në konferencë, zyrtarët institucionalë bënë të ditur se sivjet është shënuar edhe rritje e numrit të dërgesave përmes portit të Durrësit deri në 55 për qind, në krahasim me vitin 2022.