Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka deklaruar se nëpërmjet faturave të fryra të energjisë elektrikë për muajin dhjetor, KEDS-i po vjedh paranë e qytetarëve, duke kërkuar reagim të institucioneve “ndaj kësaj plaçkitjeje legale”. Ky institucion ka kërkuar hetim urgjent nga Prokuroria, pasi faturat i ka quajtur “jonormale”.
Në një reagim të martën, KMDLNJ-ja ka thënë se Qeveria e Kosovës po i favorizon serbët e veriut e po i ndëshkon “konsumatorët e rregullt” nëpërmjet lejimit për rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Ky institucion ka bërë thirrje për reagim të konsumatorëve dhe të opozitës.
“Në çdo vend normal kjo vjedhje klasike përmes faturave të rrymës do të ishte mundësi e artë për opozitën që fuqishëm të kundërshtojë ndërsa te ne vetëm kishte reagime sporadike të deputetëve. Për këtë plaçkitje legale deputetët e Kuvendit të Kosovës është dashur të thërrasin seancë të jashtëzakonshme ndërsa qytetarët e Kosovës është dashur të reagojnë fuqishëm përmes një aktivizmi qytetar kundër KEDS, KES/CO dhe ZRrE –së. E keqja e gjithë kësaj është se ZRrE, si Rregullator i Energjisë Elektrike asgjë nuk ka ndërmarrë për mbrojtje të interesit të qytetarëve të Kosovës por se ka mbrojtur gjithmonë interesin e kompanive gllabëruese si KEDS dhe KES/CO”, thuhet në reagim.
KMLDNJ-ja u ka kërkuar qytetarëve t’i bëjnë publike faturat e energjisë elektrike për muajin dhjetor për t’i krahasuar me ato të muajit paraprak.
“Qytetarët e Kosovës nuk mjafton të njoftohen dhe t’i dinë të drejtat e tyre, por ato të drejta duhet t’i mbrojnë me të gjitha mjetet e lejuara demokratike. Qytetarët po manipulohen nga subjektet politike sikur edhe nga pjesa përfituese dhe klienteliste e shoqërisë civile që po i zbehin protestat apo po i fusin në shërbim të tyre. Deri në kohën kur qytetarët nuk do të vetëdijësohen se të drejtat e tyre duhet t’i mbrojnë vet, do të marrin fatura shumë më të rënda se këto të dhjetorit”, thuhet tutje.
Edhe
KMDLNJ-ja kërkon hetim ndaj ZRRE-së: Faturat e rrymës përbëjnë abuzim të rëndë ekonomik
Shumë qytetarë janë ankuar ditëve të fundit se faturat e energjisë elektrike për shpenzimet e dhjetorit ka qenë më e lartë se muajt e fundit.
KOHA ka kontaktuar me zyrtarë të KESCO-s, por se ata kanë thënë se janë në përgatitje të një komunikate sqaruese.