Për ngecjet e nxënësve në të kuptuarit gjatë leximit, në matematikë e në shkencë, të cilat i ka shpërfaqur raporti i testimit ndërkombëtar PISA nuk shprehen shqetësim dy udhëheqësit kryesorë të shtetit. Edhe një ditë pas publikimit të rezultateve, nuk ka reaguar presidentja e as kryeministri. Njohës të çështjeve arsimore vlerësojnë se situata në arsim duhet t’i alarmojë institucionet nga të cilat është kërkuar të ndërmarrin veprime të menjëhershme
Rezultatet që nxënësit kosovarë shënuan në testimin ndërkombëtar PISA, nuk kanë alarmuar presidenten Vjosa Osmani e kryeministrin Albin Kurti.
Për faktet që i shpërfaqi raporti i PISA-s se 85 për qind e nxënësve nuk mund të zgjidhin një detyrë të thjeshtë matematikore, e 83 për qind nuk mund të kuptojnë një tekst me gjatësi mesatare, nuk pati asnjë reagim nga dy përfaqësuesit e shtetit.
Sipas drejtorit në Qendrën për Arsim të Kosovës, Petrit Tahiri, situata në arsim duhet të alarmojë institucionet qendrore e lokale si dhe shoqërinë, në mënyrë që të ndërmarrin veprime të menjëhershme që t’i trajtojnë me urgjencë dobësitë në sistemin arsimor.
“Ne kemi dëgjuar disa herë që arsimi është prioritet dhe jo vetëm në shtetin tonë por në shumë shtete, por mendoj që tani pas këtyre rezultateve është momenti i duhur që kjo të vendoset dhe të zbatohet në plotni. Pra pres nga institucionet, qofshin ato qendrore apo lokale, duke e marrë parasysh edhe nivelin e përgjegjësive që e kanë në fushën e arsimit, që këtë prioritet të arsimit ta kontekstualizojnë dhe ta praktikojnë në kuptimin e përditshëm të punëve e detyrave dhe përgjegjësive që secili prej zyrtarëve kanë”, ka thënë ai.
E, Agon Ahmeti, drejtor në organizatën për arsim “ETEA”, ka thënë se përgjegjësi dhe llogaridhënie për situatën duhet të japë niveli qendror.
“Kjo është hera e tretë që kemi rezultate të tilla. Fatkeqësisht kemi rënie goxha të theksuara në fushën e matematikës, leximit. Po them se nga niveli më i lartë, që është Ministria e Arsimit duhet ta kthejë gishtin nga vetja dhe ta pranojë si përgjegjësi dhe të reflektojë për këto rezultate deri te mësimdhënësit e nxënësit”, ka thënë Ahmeti.
Përmes një përgjigjeje me shkrim, në Zyrën e Kryeministrit vlerësuan se arsimi po trajtohet me prioritet.
“Nga fillimi i mandatit, Qeveria është duke e trajtuar arsimin me prioritet dhe ka ndërmarrë e po ndërmerr shumë veprime në përmirësim të kësaj gjendjeje, duke nisur që nga edukimi në fëmijërinë e hershme e deri tek arsimi i lartë”, është thënë në përgjigjen e kësaj Zyre, e në të cilën theksohet se Ministria e Arsimit (MASHTI) do ta bëjë një analizë të detajuar të indikatorëve të rezultateve, e edhe për intervenime të shpejta.
Para marrjes së pushtetit Lëvizja Vetëvendosje është zotuar se do t’i analizojë dhe do t’i trajtojë rezultatet që nxënësit kanë arritur në testimin paraprak PISA.
“Është për ne e rëndësishme që testin e ardhshëm të PISA-s ta kalojmë me sukses sepse kemi mësuar e jo sepse jemi përgatitur enkas për testin e PISA-s”, pati deklaruar kryeministri Kurti në vitin 2017 gjatë një vizite në një nga shkollat në kryeqytet.
Se Ministria e Arsimit nuk ka ndërmarrë asnjë hap për të identifikuar arsyen se pse nxënësit kanë rezultatet të ulëta në testet ndërkombëtare, është një nga gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit në vitin 2022.
Në këtë raport theksohet se analizat që i ka pranuar ekipi auditues nga MASHTI kanë qenë të mangëta.
Në raportet e ministrisë nuk përfshihen shkaqet, efektet apo rekomandimet që adresojnë rezultatet në nivel kombëtar dhe që ndikojnë në eliminimin e mangësive në sistemin e arsimit.
Në testimin që i janë nënshtruar rreth 7 mijë nxënës në maj të vitit të shkuar, Kosova është ranguar ndër vendet e fundit, nga mesi i 80 shteteve pjesëmarrëse.
Nxënësit kanë zënë vendin e 74-t në matematikë, që është fushë kyçe e testimit dhe të 76-tin në të kuptuarit në lexim. Në të dyja fushat ata kanë pësuar rënie në performancë me 11 pikë më pak krahasuar me testin e vitit 2018. E në fushën e shkencës, nxënësit nga Kosova janë renditur të 77-tit, me rënie prej tetë pikësh.
Më poshtë sesa Kosova janë renditur Filipinet, Guatemala, El Salvadori, Republika Dominikane, Paraguai dhe Kamboxhia.
Pas këtyre rezultateve, dy përfaqësues të dy partive më të mëdha opozitare kanë kërkuar shkarkimin e ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci.
Renditja e Kosovës ndër të fundit në testimin, i cili mat njohuritë e 15-vjeçarëve në lexim, matematikë e shkencë, sipas deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eliza Hoxha, është dështim i ekzekutivit aktual.
“Nuk mund të presim përmirësim të cilësisë në arsim, kur Qeveria Kurti me veprimet e saj ka vendosur në pikëpyetje kredibilitetin e pothuajse secilit mësimdhënës në Kosovë. Në vend se t’u ofrojë mbështetje për zhvillim, të aftësive dhe shkathtësive të reja të kohës, siç kishte premtuar, e për të cilat fëmijët tanë kanë kaq shumë nevojë”, ka thënë ajo në konferencën për media që ka organizuar PDK-ja.
Anëtarja e kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Sadriu Lushaku, i ka cilësuar shqetësuese rezultatet e testit PISA. Ajo e kritikoi qeverinë për mostrajtimin e arsimit me prioritet.
“Për të ardhur te rezultatet ose tek analizat e mirëfillta ne duhet të shohim se çka bën MASHTI sot në arsim. Fillimisht dua të them se arsimi nuk është prioritet i kësaj Qeverie. Në vitet paraprake kur rezultatet e testit PISA janë publikuar, Vetëvendosje ka bërë thirrje për seanca të jashtëzakonshme. Është pikërisht sot Vetëvendosja ajo që nuk tregon përkujdesin minimal për arsimin”, ka thënë ajo.
Vetëm 15 për qind e nxënësve kanë arritur të kalojnë në nivelin e dytë nga gjashtë sa bëhen në bazë të matjeve të OECD-së për njohuritë e nxënësve.
“Pothuajse asnjë nxënës në Kosovë nuk ishte me performancë të mirë në matematikë, për të arritur në nivelin 5 ose 6 në testin e matematikës në PISA”, është thënë në raportin e publikuar një ditë më parë.
Për të arritur në nivelin 5 apo 6, nxënësit duhej të tregonin aftësi për të zgjidhur matematikisht situata komplekse. Krahas kësaj, vetëm 7 për qind e nxënësve nga Kosova kanë arritur nivelin më të lartë në testimin për fushën e të kuptuarit në lexim.
E, 21 për qind e nxënësve kanë arritur të kalojnë nga niveli më i ultë në të dytin.
“Ata e dinë shpjegimin e saktë për dukuritë e njohura shkencore dhe kanë arritur t’i përdorin këto njohuri për të identifikuar nëse një definicion është i vlefshëm”, është theksuar në raport.
Sa i përket dallimit gjinor, në raport është theksuar se djemtë dhe vajzat kanë performuar në nivele të ngjashme në matematikë, porse vajzat kanë pasur performancë më të mirë në fushën e leximit, me 25 pikë më shumë. Është theksuar po ashtu se është rritur përqindja e nxënësve që nuk janë të kënaqur me sistemin arsimor të cilin e vijojnë.
Testimit në vitin 2022 i janë nënshtruar rreth 7 mijë nxënës të lindur në vitin 2006, nga 237 shkolla të Kosovës. Përzgjedhja e tyre është bërë në mënyrë rastësore nga sistemi elektronik i PISA-s.
Në rezultatet e testit të parë të PISA-s, të mbajtur në vitin 2015, nxënësit nga Kosova janë radhitur në vendin e 68-të nga 72 vende pjesëmarrëse. Në të dytin, i cili është mbajtur më 2018, 15-vjeçarët kosovarë kanë zënë vendin e 77-të mes 79 shteteve të botës.
Rezultatin më të mirë në të tri fushat e testimit të 2022-s e kanë shënuar 15-vjeçarët nga Singapori, Japonia, Taipei e Makao.