Yll Buleshkaj, drejtor i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, ka bërë të ditur se për vitin 2023 kanë dorëzuar në Prokurori rreth 80 zyrtarë për deklarim të pasurisë. E shkeljet nga këta zyrtarë, sipas tij, janë të ndryshme, duke përfshirë deklarimin e pasaktë.
Buleshkaj ka thënë se ende nuk i kanë përfunduar dosjet e deklarimit të pasurisë të të gjithë zyrtarëve, por synojnë që ato t’i përfundojë në fillim të vitit.
“Jemi duke bërë verifikimin e plotë të deklarimit të pasurisë të 3 mijë zyrtarëve. Para deklarimit të rregullt në mars, këto do të përfundojnë. Vitin e kaluar kemi pas më shumë se 270 raste në Prokurori, e sivjet i kemi dorëzuar rreth 80. Duke pasur parasysh numrin e lëndëve që ende s’janë verifikuar, ky numër mund të rritet, por nuk do ta mbërrijë numrin e vitit të kaluar. Ka zhvillim pozitiv sa i përket zbatimit të ligjit për deklarim të pasurisë”, ka thënë Buleshkaj në “60 Minuta” të KTV-së.
Siç ka thënë Buleshkaj, shkeljet e këtyre zyrtarëve janë nga më të ndryshmet, nga kundërvajtjet, vonesat deri te fshehja e pasurisë.
Drejtori i AKK-së ka thënë se janë në proces të rritjes së kapaciteteve, si njerëzore ashtu edhe ligjore, për të punuar sipas standardeve të Këshillit të Evropës, veçanërisht në rastin kur zyrtarët pranojnë dhurata.
Buleshkaj ka komentuar edhe raportin e Këshillit të BE-së, sipas së cilit, Kosova ka bërë progres të limituar në luftën kundër korrupsionit.
“Për sa kohë thuhet në raport, ne besojmë se është ashtu. Ne nuk kemi zhvilluar ndonjë analizë që me ardh me një përfundim të kundërt. Ka pasur progres, por nuk është ai i cili mund të jetë”, ka thënë ai.