Arbëri

Halitjaha thotë se UÇK-ja nuk pati as burgje e as gjykata ushtarake

Ish-zëvendëskomandanti i Zonës Operative të Pashtrikut, Sadik Halitjaha, ka thënë para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë se në zonën e tij Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk pati burgje e as gjykata ushtarake. Gjyqtari Guenaël Mettraux e pyeti atë lidhur me një dokument (që nuk mund të shihet nga publiku) ku figuronte si shkresë e një gjykate ushtarake të UÇK-së.

“A pajtoheni që në pamje të parë këtu duket një numër 7/99 dhe mban datën 2 shkurt 99, vjen nga Prokurori i Përgjithshëm Ushtarak Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ka lidhje me kallëzimin penal 03/99 më 1 shkurt 99 të paraqitur nga Policia Ushtarake e Zonës Operative të Pashtrikut kundër Osman Berat Korpuzit nga fshati Shalë. E shihni këtë?”, pyeti Mettraux.

Dëshmitari Halitjaha në paraqitjen e pestë para gjykatës u përgjigj se UÇK-ja s’kishte gjykatë ushtarake.

“Mirë dhe është në rregull dhe është konstrukti i dokumentit shumë mirë, por realisht sinqerisht e them që unë nuk kam ditur që ka diçka të tillë dhe nuk mendoj, prap lajm i bindur që nuk ka pasur për shkak se këtu thotë thotë se thirret në ligj, paragrafi ky. Ku e ka marrë atë ligj dhe në cilat ligje është thirrur?! Po të ishte thirrur në ligjet ndërkombëtare do ta kishte besuar, ligje të tjera s’kemi përdorur askush. Nuk e kuptoj dhe sinqerisht s’e kam parë kurrë këtë dokument e as nuk e kam njohur këtë ngjarje”, tha Halitjaha.

Gjyqtari Guénaël Mettraux e pyeti atë lidhur me një dokument ku figuronte emri Shkëlzen Ahmeti dhe Vjollca Mali që është i shkruar sikur vendim Kolegjit të Përgjithshëm të Gjykatës Ushtarake të UÇK-së ku figuron data 11 shkurt 1999, porse dëshmitari insistoi se nuk ka pasur gjykata ushtarake.

“Edhe sot Kosova nuk ka gjykatë ushtarake, as s’ka kolegj e as gjykatë e as hetues e edhe sot nuk i kemi. Si ka mundur t’i ketë atëherë. Unë jam i habitur, nuk kam kah e kuptoj”, tha Halitjaha.

Dëshmitari i propozuar nga prokuroria po ashtu tha se nuk ka pasur as vende ndalimi apo burgje në Budakovë, më konkretisht te lumi i Paliushit.

“S’ka pasur as burgje në aspektin fizik të shtëpive-burg, as s’kemi pasur struktura për burgun që duhet të jetë gjykata, që duhet të jenë avokatët, prokuroritë, policia, burgu e roja e burgut... Nuk kemi pasur diçka të tillë. Por, nuk ka pasur as urdhër. Nëse dikush ka dhënë një urdhër të tillë që dikush duhet të arrestohet një civil apo duhet të maltretohet një njeri i pafajshëm ju mos e ndalni me dënime, ju lutem maksimalisht, kushdo qoftë ai...Shtëpi ndalimi s’ka pasur”, tha Halitjaha.

Ai tha se nuk e ka urdhëruar asnjëherë arrestimin e civilëve.

“Jo që s’e pranoj, por po të ishte diçka e vërtetë e tillë unë do ta shkruaja këtu një burgim të përjetshëm për veten time. Derisa jam përpjekur t’i mbroj me jetën time 200.000 civilë në Zonën Operative të Pashtrikut unë të merrem me urdhra të njerëzve civilë, të njerëzve të pafajshëm, të njerëzve të paarmatosur, të moshave të caktuara, të cilitdo minoritet qofshin ata të komunitetit shqiptar apo ndonjë komuniteti tjetër...”, tha dëshmitari Halitjaha.

Ai përfundoi dëshminë pas këtyre fjalëve, duke uruar se ka dhënë "kontribut sadopak modest dhe besoj që kanë qenë korrekte dëshmitë e mia dhe i uroj sukseke këtij procesi". 

"Liri çlirimtarëve!", ka shtuar Halitjaha. 


Nis dëshminë e saj ish-zyrtarja e Misionit Verifikues për Kosovën të OSBE-së

Pas tij në seancën e së martës, në rastin e ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, ka nisur dëshminë e saj Sandra Lyn Mitchel, ish-zyrtarje e Misionit Verifikues për Kosovën të OSBE-së.

Mitchel ka dëshmuar në procesin paraprak gjyqësor në Tribunalin e Hagës në rastin kundër krerëve politikë, ushtarakë e policorë serbë

Milan Milutinoviq, Nikola Shainoviq, Dragolub Ojdaniq, Nebojsha Pavkoviq, Vladimir Lazareviq, and Sreten Lukiq. Ata janë dënuar nga Tribunali i Hagës për krime lufte në Kosovë me përjashtim të Milutinoviqit, ish-presidentit të Serbisë.

Në bazë të versionit të aktakuzës së ZPS-së të publikuar në shkurt 2023, të pandehurit akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me rreth 100 vrasje, pastaj për torturë dhe trajtim mizor në rreth 40 qendra të paraburgimit gjatë periudhës 1998-1999. Sipas ZPS-së, të akuzuarit Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, kanë qenë në dijeni ose është dashur të kenë dijeni për shkak të pozitave drejtuese në Shtabin e Përgjithshëm lidhur me krimet që janë kryer dhe për të cilat kanë pasur qëllim marrjen e pushtetit në Kosovë.

Të akuzuarit, siç pretendohet në aktakuzë, janë personalisht përgjegjës për frikësimin, marrjen në pyetje dhe keqtrajtimin e personave të mbajtur në qendrat e paraburgimit.

Ish-shefat e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha këto akuza. Thaçi, Veseli, Selimi, Krasniqi kanë thënë se UÇK-ja nuk ka pasur një hierarki të tillë që Shtabi i Përgjithshëm të ketë kontroll efektiv mbi komandat e zonave operative dhe komandat lokale, e aq më pak mbi veprimet e tyre.