4 perditesime
12:07

Caktohet masa e paraburgimit ndaj të dyshuarve për vrasjen e Liridona Ademajt

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të dyshuar për vrasjen e Liridona Ademajt.

Naim Murseli akuzohet për veprën penale “vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, Granit Plava për “vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje", ndërsa Kushtrim Kokalla për “marrëveshje për të kryer vrasje të rëndë”.

Të treve u është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.

Sipas akuzës thuhet se Murseli e kishte pajisur me armë Granit Plavën dhe kishin inskenuar ngjarjen. Ai i kishte premntuar Pllavës 30 mijë euro për vrasjen.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri N.M me dashje që ta privojë nga jeta në mënyrë dinake bashkëshorten e tij, ishte marrë vesh me të pandehurin G.P për ta vrarë tani të ndjerën L.M, ku paraprakisht i pandehuri N.M e kishte pajisur me armë të pandehurin G.P dhe kishin inskenuar veprën penale të Grabitjes, e cila është realizuar me datë 29.11.2023 rreth orës 20:25 minuta , në fshatin Bernicë, Komuna e Prishtinës, në atë mënyrë që derisa i pandehuri N.M ishte duke lëvizur me veturën e tij, në të cilën kanë qenë e ndjera L.M dhe dy fëmijët e tyre, papritmas ka dalë para veturës i pandehuri G.P me maskë në kokë dhe revole në dorë, ku sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri N.M me fëmijët kishin dalë nga vetura dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes kinse për të ikur, ndërsa në veturë kishte mbetur tani e ndjera, të cilën i pandehuri G.P e kishte qëlluar nga afërsia me një plumb në qafë dhe si pasojë e plagës vdekjeprurëse, e ndjera L.M kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa për këto veprime i pandehuri N.M, paraprakisht i kishte premtuar të pandehurit G.P shumën e të hollave prej 30,000.00 €”, thuhet nga Gjykata.

 

 

 

11:21

Policia shkon në Gjykatë, ende s’është caktuar masa e paraburgimit ndaj të dyshuarve për vrasjen e Liridona Ademajt

Ende nuk është caktuar masa e paraburgimit ndaj tre të dyshuarve për vrasjen e Liridona Ademajt, ndonëse seanca gjyqësore ndaj tyre e mbajtur të dielën ka përfunduar.

Një njësi e Policisë është parë duke hyrë brenda hapësirave të gjykatës, ku pritet t’i marrin të dyshuarit për t’i dërguar në paraburgim, megjithatë një vendim ende nuk është bërë i ditur.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, ka njoftuar për KOHËN se masa e paraburgimit nuk është caktuar.

Nga seanca kanë dalë edhe avokatët e të dyshuarve. Vetëm Skënder Gojani, mbrojtja e Granit Plavës është deklaruar për media, duke thënë shkurtazi se klienti i tij është mbrojtur në heshtje.

10:32

Avokati i Plavës: Klienti im është mbrojtur në heshtje

Skënder Gojani, avokati i njërit prej të dyshuarve për vrasjen e Liridona Ademajt, Granit Plava, është deklaruar shkurtazi për media pas seancës së mbajtur të dielën në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Ai ka thënë se “klienti i tij është mbrojtur në heshtje”.

Plava është njëri prej tre të dyshuarve për vrasjen e Ademajt të mërkurën në Prishtinë.

Ndaj tij dhe të dyshuarve të tjerë, Gjykata pritet t’ua caktojë të dielën masën e paraburgimit.

09:24

Të dyshuarit për vrasjen e Liridona Ademajt arrijnë në Gjykatë

Të dyshuarit për vrasjen e Liridona Ademajt kanë arritur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për të cilët pritet të mbahet seanca gjyqësore nga ora 9:30.

Siç ka mësuar KOHA, të dyshuarit kanë hyrë brenda hapësirave të Gjykatës nga hyrjet ku nuk kanë qenë prezente mediat.

Para fillimit të kësaj seance, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist bashkë me aktivistë feministë të pavarur, kanë organizuar një aksion simbolik.

“Nuk ka paqe pa sigurinë e grave”, thuhet në pankartën që këta aktivistë mbanin në duar gjatë këtij aksioni.

08:08

Të dielën seancë gjyqësore për vrasjen e Liridona Ademajt

Seanca gjyqësore ndaj bashkëshortit të Liridona Ademajt, Naim Murseli, i dyshuar për organizimin e vrasjes së saj, dorasit Granit Plava dhe Kushtrim Kokallës – pjesëtarit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, do të mbahet të dielën nga ora 09:30 në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Pas përfundimit të seancës, gjykatësi i procedurës paraprake pritet të caktojë nga një muaj paraburgim për të dyshuarit.

Ende nuk dihet nëse seanca do të jetë e hapur për mediat.

Ngjarja e rëndë e ndodhur më 29 nëntor ka ngjallur reagime të shumta nga institucionet e shoqëria civile.