Arbëri

KFOR: Pas sulmit në Banjskë, kemi katërfishuar praninë në veri

 

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka thënë se pas sulmit të armatosur nga grupi paramilitar serb në Banjskë të Zveçanit e kanë katërfishuar praninë në veri, ndërsa kanë trefishuar numrin e patrullimeve, përfshirë ato përgjatë vijës kufitare me Serbinë.

Më 24 shtator, një grup paramilitar serb hyri në Banjskë me qëllim, sipas Qeverisë së Kosovës, aneksimin e pjesës veriore. Sulmi u parandalua me kohë nga Policia e Kosovës, ku si pasojë mbeti i vdekur rreshteri Afrim Bunjaku. U vranë edhe tre sulmues të armatosur. Që nga ajo ditë, pavarësisht se Kosova ka publikuar dëshmi e ka kërkuar që Serbisë t’i vihen sanksione pasi thonë se qëndron prapa sulmit të armatosur, shtetet perëndimore kanë ngurruar të veprojnë.