Levik Rashiti nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), ka deklaruar se Fondi Sovran ia mundëson shtetit të ndërhyjë në ekonomi.
Të enjten në “Interaktiv” të KTV-së, Rashiti ka thënë se problemi qëndron te kapitulli 9 i Kushtutës së Kosovës, pasi aty vihen rregullat e një tregu të lirë ku shteti ka rol intervenues.
“Përmes Fondit Sovran i tillë siç është paraparë, cilësdo Qeveri dhe shtetit të Republikës i mundëson që t’i bëjë disa ndërhyrje të cilat vetë shteti nuk do të mund t’i bënte. Vetë ky koncept ia lejon. Argumentet ekonomike janë të kufizuara nga aspekte juridike. Problemi është kapitulli 9 i Kushtetutës së Kosovës, i cili i vë rregullat e një tregu të lirë ku shteti e ka një rol intervenues por ai është vetëm për të krijuar kushtet e volitshme që ekonomia e tregut të lulëzojë”, është shprehur Rashiti.
Ai është shprehur i bindur se ky projektligj nuk kalon në Gjykatën Kushtetuese.
“Jam i bindur që nuk e kalon testin e Kushtetueses, pasi këtu nuk kemi të bëjmë më me asnjë ndërhyrje por kemi të bëjmë me shtetin pjesëmarrës përmes alteregos së saj, Fondit Sovran. Kjo pjesëmarrje është shumë e ashpër që nuk e lejon as ndërmarrjen e lirë”, ka thënë ai.