Arbëri

Bala: Po synojmë ndërtimin e një shoqërie pa dhunë

Nazlie Bala, këshilltare në Ministrinë e Drejtësisë, ka thënë se programi që synon uljen e dhunës në baza gjinore është i pari në regjion.

Sipas saj, ky program është i zhvilluar në 10 module.

Bala ka shtuar se është herët të flitet për rezultate, porse pilotimi do të nis në dhjetor të këtij viti dhe do të përfundojë në maj të vitit të ardhshëm.

Ajo në "60 Minuta" në KTV ka deklaruar se është rritur numri i raportimeve të rasteve të dhunës.

“Ky program më shumë i përgjigjet fenomenit të recidivizmit. Programi do të jepet për personat që kanë aktgjykim të plotfuqishëm. Ky program do të zbatohet edhe për personat që janë me dënim me kusht. Adaptimi i këtij programi është në frymën e Konventës së Stambollit. Ne kemi ndërmarrë veprime të tjera sa i përket ashpërsimit të ligjit për dhunë në baza gjinore. Ne kemi ngrit edhe tri vepra të tjera që janë vepra penale. Ky program do të jetë obligativ për të gjithë ata që kalojnë nëpër procese gjyqësore. Do të mbetet edhe në duart e Gjykatës”, ka thënë ajo.

Bala ka thënë se qëllimi kryesor është të ndërtohet një shoqëri pa dhunë.

Ka shtuar se po tentohet ulja e rasteve të dhunës në familje.

“Veprimet janë në vend dhe presim që shumë shpejt t’i kemi rezultatet e para. Do ta shtrijmë këtë program në të gjithë territorin e Republikës. Tash e kemi edhe ligjin e ri për mbrojtjen nga dhuna në familje. Është në rritje e sipër raportimi i dhunës në familje. Pra, nuk është rritur dhuna, por është rritur raportimi. Thirrja jonë kudo që shkojmë është thirrja për raportim”, ka thënë ajo.

Bala ka deklaruar nga janari deri tash janë mbi 2500 raportime të rasteve të dhunës në familje.

Sipas saj, numri më i madh i viktimave është i grave dhe i vajzave.

“Në njërën anë kemi dhunën pikërisht për shkak të gjinisë, në anën tjetër, kur flasim për dhunën ndaj burrave, kanë të bëjnë me pronësi”, ka thënë ajo.

Bala ka theksuar se ka dënime shumë të ulëta nga Gjykatat sa i përket dhunës në familje.

Sipas saj, gjykatësve shumë më lehtë u vije që t’i rendisin rrethanat lehtësuese për kryesit e veprës.