Arbëri

Buxhovi: Pavarësisht ndarjes nga Shqipëria, Kosova e shqiptarët u mbijetuan planeve ogure të fqinjëve

28 Nëntori është një nga datat më të rëndësishme në historinë e shqiptarëve në përgjithësi dhe të shtetit shqiptar në veçanti, vlerëson historiani Jusuf Buxhovi.

Buxhovi ka treguar se edhe pse kjo datë i riktheu shqiptarët në skenën politike të Evropës, pati një çmim të rëndë.

“Për herë të parë shqiptarët u rikthyen në histori në shtetin e tyre. Historikisht ne për herë të fundit e kemi pasur mbretërinë e Skënderbeut në shekullin 15 kur përfundoi dhe ishin pesë shekuj robëri. 28 Nëntori 1912 e ktheu Shqipërinë në skenën politike të Evropës, por kjo pati një çmim shumë të madh. Dy prej vilajeteve kryesore, i Kosovës në tërësi dhe një pjesë e vilajetit të Janinës e Manastirit mbeti nën sundimin serb, grek e bullgar”, ka shpjeguar ai në emisionin “60 Minuta në KTV”.

Buxhovi ka thënë tutje se përkundër ndarjeve që iu bënë shqiptarëve e fatit tragjik që patën me mbetjen jashtë Shqipërisë, “Kosova dhe shqiptarët ia arritën të mbijetojnë këtyre planeve ogure të fqinjëve të tyre”.

“Është një meritë historike dhe ekzistenciale e Shqipërisë si shtet. Ai i frymëzoi pjesët e robëruara të mbetura nën Greqi, Malin e Zi, Serbi, që të luftojnë vazhdimisht fillimisht pushtuesin dhe më pas ta ruajnë etninë e tyre. Përkundër shpërnguljeve të mëdha, gjenocidin, kolonizimet, etnia shqiptare në Kosovë dhe Maqedoni u ruajt. U ruajt edhe në rrethanat më tragjike, shqiptarët mendonin se çështja e tyre një ditë do zgjidhet në përputhje me të drejtën historike”, ka shtuar ai.

Buxhovi ka treguar si nisi ideja e pavarësisë.

“Ajo ka filluar si kërkesë për barazi, vilajet të përbashkët në kuadër të Perandorisë Osmane. Kështu Lidhja Shqiptare i definon, për t’i ruajtur territoret nga copëtimet. Lindi ideja që shqiptarët në këtë përballje pas vendimeve të Kongresit të Berlinit, të angazhohen për bashkimin e katër vilajeteve në një vilajet”, ka treguar tutje.