Arbëri

Liderët opozitarë urojnë festat e 28 Nëntorit

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka uruar festat e 28 Nëntorit.

Haradinaj nëpërmjet një postimi në Facebook ka thënë janë të rrallë popujt që e kanë kalendarin aq të pasur me data e ngjarje historike si shqiptarët.

“Shqiptarët prej dekadash e kanë pasur të qartë qëllimin dhe orientimin e tyre. Në secilën rrethanë e pavarësisht stuhive, mbijetuam duke ruajtur identitetin, qëllimin e orientimin. Janë të rrallë popujt të cilët e kanë kalendarin aq të pasur me data e ngjarje historike si ne shqiptarët, prej epokës së Gjergj Kastriotit - Skënderbeut, epokë e cila kishte trasuar rrugën e të gjitha përpjekjeve të mëpastajme, e veçmas nëntori që në vete ngërthen ngjarjet më të rëndësishme, si ajo e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari dhe dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka shkruar ai.

Haradinaj më tej ka përmendur edhe të rënët për liri të të gjitha kohërave.

“Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Komandantit Legjendar Adem Jashari. Nderime sot, për ushtarët dhe oficerët që i shërbejnë Atdheut”, ka shkruar ai.

Edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka uruar festat me një fotografi të publikuar në Facebook.