Arbëri

Krasniqi: Kam dyshime që kryetarët e PDK-së në veri mund t'u përgjigjen qytetareve

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se ka dyshime që kryetarët nga radhët e PDK-së, që udhëheqin Zveçani e Zubin-Potokun, e që detyrën e ushtrojnë nga zyra alternative, mund të iu përgjigjen kërkesave të qytetarëve.

Sipas tij këtë e bëjnë kryetarët nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, që udhëheqin dy komunat e tjera në veri, Mitrovicën e Veriut dhe Leposaviqin, e të cilët ushtrojnë detyrën nga objektet komunale.

“Janë 34 kryetar në Republikën e Kosovës, dhe agjenda e secilit është individuale dhe nuk mund të flas për ato, po është me e veçantë pjesa e kryetarit në veri të vendit, ne tashmë kemi dy kryetarë të cilët vazhdojnë aktivitetet e tyre ditore nga zyrat e kryetarit dhe dy të tjerë të cilët janë përcaktuar që të punojnë nga zyra alternative, dhe këtu unë kam dyshimet e mija edhe si ministër se ata mund të iu përgjigjën kërkesave të qytetareve”, është shprehur Krasniqi në konferencën pas mbledhjes së Qeverisë, kur është pyetur për punën që bëjnë kryetarët në katër komunat në veri.

Sipas tij kryetari i Leposaviqit në baza ditore takon qytetarët të cilët, ai ka thënë se kanë kërkesa në vazhdimësi për kryetarin. “Për herë të parë kanë një kryetar të cilin është i interesuar të jetë në mbështetje të qytetarëve dhe jo të grupeve kriminale të Listës Serbe, kështu që kryetari në Leposaviq dhe ai në Mitrovicën e Veriut janë vazhdimisht në nivel të detyrës dhe angazhohen që në projekte të ndryshme edhe nëpër mjete ministrisë edhe fondeve vetanke të komunës të implementojnë projekte të ndryshme, në javën e kaluar është nënshkruar një marrëveshje mes kryetarit të Komunës së Leposaviqit dhe Agjencisë për Shërbime Civil, ku në fund të kësaj jave do të kemi zyrën për tu pajisur me letërnjoftime dhe pasaporta të Republikës së Kosovës”, është shprehur Krasniqi.

Ai ka ripërsëritur se deri më tani nuk kanë asnjë informacion “që një grup i qytetarëve është organizuar dhe ka filluar mbledhjen e nënshkrimeve për largimin e kryetarëve nga zyrat”.