Arbëri

Hasani: Nuk e pyet askush Serbinë për pranimin e Kosovës në OKB

Profesori i së drejtës ndërkombëtare, Enver Hasani, ka thënë Serbia nuk ka autorizim për pranim apo përjashtim të shteteve në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Të enjten në “Interaktiv” të KTV-së, Hasani ka thënë se Serbinë nuk e pyet asnjë vend anëtar në OKB se si ndihet për mekanizmin e pranimit.

“Është jorelevante sepse po flet për qytetarët serbë sepse i ka zgjedhjet në prag. Këto mosmarrëveshje që sot duken në syprinë, apo u thanë kushtëzime reciproke, tashmë ngelet të përpunohen në takimin e radhës. E rëndësishme është që palët janë kthyer në dialog dhe kjo përçon mesazh të fuqishëm kundër Rusisë dhe Kinës e vendeve të tjera”, ka thënë ai.

Sipas profesorit Hasani, pala kosovare është në defansivë totale kundrejt Bashkimit Evropian.

“Shihet në pritjen edhe në Bruksel, por edhe në Prishtinë (në takimin me pesëshen evropiane dhe amerikane), shihet qartë se është në defansivë”, është shprehur ai.

Hasani më tej ka thënë se s’mund të priten sanksione ndaj Serbisë, pa dalë një raport që tregon se ka të bëjë me aktin terrorist të 24 shtatorit.

“Sanksionet ndaj Serbisë për çështjen e ngjarjeve të aktit terrorist të 24 shtatorit, pa dalë një raport që ia atribuon Serbisë, asnjëherë nuk mund të ndodhin”, ka thënë ai.

Sipas tij, të gjitha autonomitë në Evropë, me apo pa bazë territoriale, e kanë të përbashkët një cilësi dalluese që nuk ka rasti i Kosovës e Serbisë.

“Ato janë bërë mes shteteve sovrane reciprokisht të njohura për zgjidhjen e disa mosmarrëveshjeve historike, fetare, gjuhësore, territoriale, ku në asnjë rast pa përjashtim, shteti që ka kërkuar zgjidhjen e problemit, nuk ka kërkuar ushtrim të të drejtave të sovranitetit”, ka deklaruar ai.

Hasani ka thënë se sa më shumë të ngelet veriu pa institucione, Kosova do ta paguajë më shtrenjtë.

“Entiteti territorial që do të operojë autonomia brenda territorit të Kosovës ku serbët janë në komunat e shënuara si komuna me shumicë serbe, ajo autonomi do të ketë organe dhe autorizime që do t’i marrin nga dikush. Edhe ndryshimi edhe prishja e autonomisë, reduktimi apo zgjerimi i saj, nuk do të varen nga pushteti qendror në Prishtinë. Sa më shumë të zvarritet kjo dhe të ngelet veriu pa institucione civile të qeverisë civile, çmimi i Kosovës rritet në të gjitha, jo vetëm në formimin e autonomisë sipas Aneksit të Ohrit, por edhe në segmente të tjera të integrimit, ndihma, anëtarësimit në KiE e kështu me radhë. Të gjitha këto shkojnë në dëm”, ka thënë ai.