Arbëri

Rizvanolli: Serbia po e saboton Marrëveshjen e energjisë në veri

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka theksuar se Qeveria e ka bërë të qartë se mbulimi i shpenzimeve për konsumin e energjisë elektrike në komunat veriore nuk do të vazhdojë.

Në një konferencë për media Rizvanolli ka thënë se që prej vitit të kaluar kur i është dhënë fund mbulimit të shpenzimeve, Qeveria s’ka ndarë më mjete.

“Kemi pasur një udhërrëfyes vitin e kaluar me afat 100 ditësh, kemi thënë se pagesat e fundit me buxhetin e Kosovës do jenë ato deri me afatin e zbatimit të kësaj marrëveshje. Kemi pasur kërkesa nga KOSTT-i që nga ajo kohë, por nuk kemi ndarë mjete shtesë. Ne kemi bërë të qartë për të gjitha palët që një mënyrë e tillë e funksionimit nuk mund të vazhdoj. Ne i kemi kryer detyrat tona në afatet e duhura, nga ana tjetër ka pasur sabotim”, ka thënë ajo.

Rizvanolli ka shtuar se Kosova nuk pranon kompromise shtesë në marrëveshjen që është arritur për energjinë në veri.

“Me kërkesën e ndërmjetësuesve ne kemi vazhduar të diskutojmë shqetësimet, por pa bërë kompromise shtesë të marrëveshjes dhe e kemi bërë të qartë që versioni i fundit i kontratës që i është dërguar Elektroserverit është versioni i fundit i marrëveshjes që duhet nënshkruhet nga ta. Dje KEDS-i i ka kërkuar kërkesën e fundit Elektroseverit. Presim që të ndodhë kjo shumë shpejt nëse jo do të shohim opsionet e tjera se si të adresohet”.

Qytetarët e komunave veriore që kryesisht janë serbë, nuk paguajnë për rrymën e shpenzuar tash e më shumë se dy dekada. Për këtë çështje Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje në vitin 2013 dhe kërkohet përveç KEDS-it, në Kosovë të licencohet edhe një kompani tjetër për distribuimin e rrymës, “Elektroserver”, pronare e së cilës është Serbia.


Krasniqi: Masat e BE-së ndaj Kosovës të padrejta

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, në konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, ka thënë se masat ndëshkuese që Bashkimi Evropian i ka marrë ndaj Kosovës janë të padrejta.

“Masat kanë qenë të padrejta atëherë dhe janë të padrejta edhe sot. Për këto që ka shqetësime se Kosova s’ka bërë mjaftueshëm për shtensionim të situatës, unë besoj që duhet të vlerësohet edhe njëherë situata”, tha Krasniqi.

Ndërkohë Krasniqi ka folur edhe për kryetarin e Leposaviqit, Lulzim Hetemi. Ai ka thënë se po bën punë të mirë Hetemi.

“Unë besoj se ai është duke bërë një punë të mirë. Në takimin tonë të fundit e kuptova që tash është shumë afër që buxhetin ta vendosë në mbështetjen e qytetarëve dhe të ofrojë një skemë të subvencionimit”, tha Krasniqi.

Image