Korrespodenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka thënë se shumë shtete në Bashkimin Evropian (BE) janë duke bërë thirrje për një qasje më të balancuar të BE-së ndaj Kosovës dhe Serbisë.
Palokaj në një intervistë në emisionin “Sot”, ka thënë se është ironike që në këtë kohë, rreth dy javë pas sulmeve në Bansjkë të Zveçanit, të cilat BE-ja i ka quajtur terroriste, nuk ka masa ndaj Serbisë e vazhdojnë të jenë në fuqi masat ndaj Kosovës.
Megjithëkëtë sipas tij në BE ekzistojnë struktura të cilat duan të blejnë kohë për Serbinë, për të evituar vendosjen e masave.
“Ka një presion gjithnjë e më të madh nga shumë vend të Bashkimit Evropian që të vendosen masa edhe ndaj Serbisë, mirëpo ekziston në Bruksel një strukturë e cila është e interesuar për të blerë kohë për Serbinë, për të evituar sa më gjatë që është e mundur vendosjen e masave ndaj Serbisë”, ka deklaruar Palokaj.
Sipas tij këto struktura janë në Komisionin Evropian e në shërbimin e veprimit të jashtëm të BE-së.
Ai ka thënë se përshtypja është që duan të blejnë më shumë kohë për Serbinë.
“Ishin shumë entuziastë kur u desh të vendosin masa ndaj Kosovës, u inkurajuan edhe nga masat që vendosën Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mirëpo tash janë shumë të ngadalshëm dhe fshihen prapa thirrjeve që duhet të pritet rezultati final i hetimeve që po bëhen në Kosovë, për të parë vërtetë se cili ka qenë roli i Serbisë”, ka theksuar Palokaj.