Arbëri

Munsch: Prezenca e KFOR-it ndaloi përshkallëzimin drejt një situate më të rëndë

 

“KFOR-i vazhdon të operojë në përputhje me mandatin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të ruajtur një mjedis të qetë dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe me Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)...”, ka thënë në një intervistë për “Kohën Ditore” komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s, admirali Stuart B. Munsch

Prania e trupave të KFOR-it në ditën kritike të 24 shtatorit kur grupi serb sulmoi policinë e Kosovës ka ndihmuar në ndalimin e përshkallëzimit të mëtejmë të situatës, ka thënë komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s, admirali Stuart B. Munsch. Megjithëkëtë, në intervistën dhënë KOHËS, ai ka theksuar se hetimet rreth rastit, përfshirë rrethanat si u fut grupi i armatosur dhe armatimi i rëndë, i bën Policia e Kosovës dhe jo forca e NATO-s, e cila në Kosovë vepron sipas Rezolutës së Kombeve të Bashkuara që i kishte dhënë fund luftës në Kosovë.

“Origjina e armëve ilegale të konfiskuara nga policia e Kosovës është duke u hetuar nga Policia e Kosovës. Mandati i KFOR-it nuk përfshin aktivitetet e zbatimit të ligjit. Këto janë prerogativë ekskluzive e Policisë së Kosovës”, ka potencuar Munsch.