Armët të cilat u përdorën nga më shumë se 30 serbë në sulmin e 24 shtatorit thuhet ishin blerë në Bosnje e më pas përmes Serbisë ishin futur në Banjskë të Republikës së Kosovës. Prokuroria e Lartë në Beograd e ka ngarkuar Milan Radoiçiqin – i cili ka marrë përgjegjësinë për drejtimin e këtij grupi të armatosur rëndë – me veprat që lidhen me “prodhim, mbajtje dhe trafikim pa leje të armëve të zjarrit dhe lëndëve plasëse” dhe “vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”.
Por, tani presidenti serb ka hapur një pistë më të gjerë se prej nga ku mund të jetë blerë ai armatim. Sipas Aleksandër Vuçiqit, Radoiçiqi në prokurori ka thënë se një pjesë e armatimit është blerë edhe në Kroaci e edhe në Serbi.
Nga sulmi i grupit të serbëve të armatosur në Banjskë mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
“Është e lehtë për ta t’i gjejnë kudo, jo vetëm në tregun e zi por gjithkund. Njerëzit gjithmonë do të jenë mbështetës, do të duan të mbrojnë sepse nga pikëpamja jonë ajo është pjesë e Serbisë. Nuk është e lejueshme por nuk është e vështirë, dhe burri (Radoiçiq) që u pyet në procedurën paragjyqësore ka thënë se ka blerë diçka në Serbi, diçka në Kroaci, diçka në Bosnjë, le ta shohim tani”, ka thënë ai në një intervistë për SkyNews.
Vuçiq e ka quajtur Radoiçiqin aleat të tij, ndërsa është përgjigjur nëse “është shaka” kur u pyet pse nuk po e ekstradon në Kosovë atë për sulmin në Banjskë.
Ai nuk e pranon se grumbullimi i ushtrisë serbe afër kufirit me Kosovës ka efekt përshkallëzimi.
Në këtë fshat të komunës së Zveçanit, grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës më 24 shtator, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues.
Radoiçiq ishte nënkryetar i Listës Serbe - partisë më të madhe të serbëve të Kosovës - por dha dorëheqje nga kjo pozitë në ditën kur mori përgjegjësinë për sulmin.
Gjykata e Lartë e Serbisë e ka liruar Milan Radoiçiqin një ditë pasi e arrestoi. Atij i është konfiskuar pasaporta dhe i është ndaluar shkuarja në Kosovë.