1 perditesime
Arbëri

Prokuroria në Serbi pretendon se Radoiçiqi i bleu armët në Bosnje e i dërgoi në Kosovë

Prokuroria në Serbi pretendon se Radoiçiqi i bleu armët në Bosnje e i dërgoi në Kosovë
17:40

Prokuroria në Serbi pretendon se Radoiçiqi i bleu armët në Bosnje e i dërgoi në Kosovë

Prokuroria e Lartë Publike në Beograd tha se ka marrë në pyetje Millan Radoiçiqin, i cili mori përgjegjësinë për organizimin e sulmit në Banjskë - fshat në pjesën veriore të Kosovës.

Në njoftim thuhet se ai u intervistua nën dyshimet se me disa persona të panjohur, kanë kryer vepra penale që lidhen me "prodhim, mbajtje dhe trafikim pa leje të armëve të zjarrit dhe lëndëve plasëse" si dhe me "vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme".

Sipas Prokurorisë, Radoiçiq dyshohet se "ka blerë armë, municione dhe mjete shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzlla, në Federatën e Bosnje dhe Hercegovinës, nga janari 2023 deri më 24 shtator".

Armët i janë dorëzuar në territorin e qytetit të Beogradit - më së shpeshti në paralagjet Bubanj Potok dhe Vërçin, sipas Prokurorisë.

Më pas, ato armë "ai i ka transportuar dhe ruajtur në vende të pacaktuara në territorin e Kosovës, ku i ka fshehur në objekte të braktisura dhe pyje", thuhet në deklaratën e Prokurorisë.

Sipas saj, i dyshuari e ka mohuar kryerjen e veprave të përmendura penale.

Ministria e Brendshme e Serbisë njoftoi më herët se ka kontrolluar banesën dhe ambientet e tjera të Radoiçiqit dhe se atij i është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë.

MPB-ja serbe tha se Radoiçiq u dërgua në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd me kallëzim penal, por nuk dha më shumë detaje.

Më 29 shtator, Radoiçiq, përmes një letre të lexuar nga avokati i tij, Goran Petronijeviq, mori përgjegjësinë për organizimin e sulmit në Banjskë.

Në këtë fshat të komunës së Zveçanit, grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës më 24 shtator, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues.

Radoiçiq ishte nënkryetar i Listës Serbe - partisë më të madhe të serbëve të Kosovës - por dha dorëheqje nga kjo pozitë në ditën kur mori përgjegjësinë për sulmin.

Pas seancës dëgjimore, Prokuroria tha se i propozoi gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës së Lartë në Beograd që të caktojë masën e paraburgimit për të dyshuarin, për shkak të rrezikut të arratisjes.

"Si udhëheqës i një grupi me disa persona, me veprim të përbashkët dhe me veprim përgjithësisht të rrezikshëm, ai ka rrezikuar jetën e njerëzve në Banjskë, në territorin e 'Kosovës dhe Metohisë', më 24 shtator", tha Prokuroria serbe./ REL

14:46

Radoiçiqi arrestohet në Serbi

Policia e Serbisë ka kontrolluar banesën dhe ambientet e tjera të Milan Radoiçiqit, për të cilin bëhet e ditur se është ndaluar për 48 orë.

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ka njoftuar se ai është dërguar në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd me kallëzim penal.

Më pas thuhet se në formë raporti do të njoftohet Prokuroria e Lartë Publike në Beograd, e cila do të ndërmarrë masa dhe veprime të mëtejshme procedurale brenda juridiksionit të saj, ka bërë të ditur MPB-ja serbe, përcjellë N1.

Të dielën, më 24 shtator, një polic i Kosovës u vra në fshatin Banjskë dhe tre të tjerë u plagosën, njëri prej tyre me armë zjarri, nga një grup i armatosur serb.

Ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, ka marrë përgjegjësinë për ngjarjet në fshatin Banjskë, thuhet në deklaratën e lexuar për media nga avokati i tij, Goran Petronijeviq.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, pati publikuar një video në të cilën Radoiçiq shihet se ishte pjesë e grupit që kryen sulm të armatosur në Banjskë.

Radoiçiqi është në “listën e zezë” të SHBA-së. I ndalohet hyrja dhe të bëjë biznes në SHBA. Ai u vendos në listë për shkak të lidhjeve të dyshuara me krimin e organizuar transnacional.

Institucionet në Kosovë kanë kërkuar ekstradimin e tij në mënyrë që ai të gjykohet nga drejtësia kosovare.