Ish-ministri i Financave, Avdullah Hoti, i cili ka drejtuar këtë dikaster qeveritar para se kompanisë “Bechtel-Enka”, t’i ndaheshin 53 milionë eurot shtesë për projektin e ndërtimit të autostradës “Arbën Xhaferi”, ka thënë se në atë kohë Ministria i ka dalë zot projektit dhe se janë ndarë të gjitha mjetet e nevojshme bazuar në kontratë.
Këto komente Hoti i ka bërë të martën gjatë dëshmisë së tij në seancën gjyqësore për rastin e 53-milionëshit, ku i akuzuar kryesor është ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, tani deputet i Kuvendit të Kosovës.
“Ministria e Financave i ka dalë zot projektit dhe me dijeninë time, janë ndarë të gjitha mjetet e nevojshme karshi kësaj kontrate”, ka thënë Hoti, i cili ka drejtuar Ministrinë e Financave në Qeverinë e Isa Mustafës.
Ramush Haradinaj, që ishte kryeministër në kohën e ndarjes së 53 milionë eurove shtesë për këtë projekt, në një interpelancë të mbajtur në Kuvend, në korrik të 2018-s ka thënë se pagesa prej 53 milionë eurove ka qenë e domosdoshme. Haradinaj ka akuzuar qeverinë paraprake të drejtuar nga Isa Mustafa, që ka dështuar të paguajë detyrimet ndaj “Bechtel-Enkas”.
Të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare në rastin e 53 milionë eurove të paguara shtesë për konsorciumin “Bechtel-Enka”, janë Pal Lekaj, ish-ministër i Infrastrukturës, Eset Berisha, ish-këshilltari i Lekaj, Nebi Shatri, ish-sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës (MI) dhe Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në këtë ministri.
Aktakuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare, kryesisht mbështetet në opinionin e kompanisë “Hill”, e kontraktuar nga Qeveria e Kosovës për të mbikëqyrë projektin, sipas së cilës, për punët shtesë është dashur të paguhen 14 milionë euro, e të cilin opinion dyshohet se Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit nuk e ka prezantuar para Komitetit Ndërministror, duke i hapur rrugë pazarit prej 53 milionë eurove.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.