Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka prezantuar rezultatet e hulumtimit të opinionit publik, që pasqyrojnë këndvështrimet e qytetarëve të Kosovës mbi reformën në sistemin e drejtësisë, sipas të cilave vetëm 10 për qind e qytetarëve të Kosovës mendojnë se sektori i drejtësisë këtë vit ka shënuar përmirësime.
Në një konferencë për media të mbajtur të martën, Violeta Haxholli nga KDI-ja, e cila i ka prezantuar rezultatet ka thënë se hulumtimi vë në pah këndvështrimin e qytetarëve rreth performancës së sektorit të drejtësisë, konkretisht punën e prokurorive dhe gjykatave, pritjet e qytetarëve për përmirësime në këtë sektor, institucionet përgjegjëse për reforma në këtë sektor si dhe mundësitë e qytetarëve për tu përfshirë në këtë reformë.
“Në pyetjen nëse qytetarët kanë parë përmirësime këtë vit në punën e prokurorive dhe gjykatave, qytetarët janë ndarë në dysh. Kështu, 44% e qytetarëve mendojnë se deri diku ka pasur përmirësime në performancën e sektorit të drejtësisë, derisa 36% mendojnë se nuk ka pasur fare përmirësim. Vetëm 10% e qytetarëve që mendojnë se sektori i drejtësisë ka shënuar përmirësime”, thuhet në komunikatën e KDI-së.
Qytetarët janë pyetur se kur presin ata që të ketë përmirësime në punën e sektorit të drejtësisë, konkretisht në punën e prokurorive dhe gjykatave. “Lidhur me këtë vetëm 8% e qytetarëve presin përmirësime gjatë këtij viti. Shumica prej tyre, konkretisht 38%, presin përmirësime gjatë 5 viteve të ardhshme dhe 31% e tyre në 10 vitet e ardhshme”, thuhet në komunikatë.
Qytetarët janë pyetur edhe se kush mendojnë se e ka përgjegjësinë kryesore për të reformuar/përmirësuar sektorin e drejtësisë.
“Në përqindjen më të lartë konkretisht 36%, qytetarët janë të mendimit se përgjegjësinë kryesore për reformë në këtë sektor e kanë vet institucionet e drejtësisë, ndërsa si institucionin e dytë përgjegjës e kanë ranguar Qeverinë, me 34%”, thuhet në komunikatë.
Lidhur me atë se a janë të informuar qytetarët për mundësitë e tyre për të marrë pjesë në diskutime gjatë hartimit/shqyrtimit të projektligjeve për reformimin e sektorit të drejtësisë, në përqindje shumë të lartë, me 77%, qytetarët janë shprehur se nuk janë të informuar. Vetëm 17% e tyre janë shprehur se e kanë këtë informacion.
Qytetarët janë pyetur edhe lidhur me preferencat e tyre për tu përfshirë në procesin e shqyrtimit të projektligjeve të reformës në drejtësi. “Lidhur me këtë çështje, 76% e qytetarëve janë deklaruar se nuk preferojnë të përfshihen në këtë proces. Në anën tjetër 18% e tyre janë shprehur se preferojnë të përfshihen përmes pjesëmarrjes në diskutime publike”, thuhet në komunikatë.
Në këtë anketë kanë marrë pjesë 1065 respodentë të moshës mbi 18 vjeç. Periudha e anketimit përfshin datën nga 4 deri me 13 shtator të këtij viti.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.