Gjermania ka përsëritur thirrjen e ndërkombëtarëve që Serbia t’i heqë forcat ushtarake nga kufiri me Kosovën. Në një reagim në Twitter të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, bëhet thirrje që ky veprim nga Serbia të bëhet pa vonesa.
“Përshkallëzimi i mëtejmë në mes të Serbisë dhe Kosovës duhet të shmanget. Është e rëndësishme që Serbia t’i reduktojë trupat nga kufiri me Kosovën pa vonesa. Bashkë me partnerët tanë, jemi në kontakt të drejtpërdrejt me palët e përfshira. Procesi politik duhet të vazhdojë urgjentisht”, thuhet në mesazhin e Gjermanisë.
Situata në veri të Kosovës mbetet e tensionuar që kur më 24 shtator, polici Afrim Bunjaku u vra në Banjskë të Zveçanit nga një grup i armatosur serb. Në një aksion pasues, nga përplasja e Policisë me grupin e armatosur mbetën të vrarë tre sulmues. Për rastin u arrestuan tetë persona, katër prej të cilëve u liruan. Të premten, përgjegjësinë për sulmin e mori Milan Radoiçiq, nënkryetar i deritashëm i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë. Në aksion është kapur arsenal armësh.
Serbia pati dislokuar ushtrinë përgjatë kufirit me Kosovën dhe menjëherë ka nxitur reagimet e ndërkombëtarëve që i kanë kërkuar largimin. Të shtunën janë vënë re lëvizje tërheqëse, por ende s’ka zyrtarizim.
NATO-ja ka shtuar forcat në veri.
Further escalation between #Serbia & #Kosovo must be avoided. It is important that Serbia reduces its troops at the border to Kosovo without delay. Together with our partners, we are in direct contact with the parties involved. The political process needs to continue urgently.
— GermanForeignOffice (@GermanyDiplo) September 30, 2023