Arbëri

Qori i quan të rrezikshme dhe të dëmshme deklaratat e Ramës për veriun

Arlind Qori, kryetar i Lëvizjes Bashkë në Shqipëri, i ka quajtur të rrezikshme dhe të dëmshme deklaratat e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, që KFOR-i ta marrë nën kontroll situatën në veri të Kosovës.

“Përveç se është sipërfaqësor reagimi i Ramës është i dëmshëm dhe i rrezikshëm. Të thuash se KFOR-i do të marrë nën kontroll veriun, është si të thuash që të ikën Policia dhe institucionet tjera të shtetit të Kosovës. Deklaratë e tillë, pak ditë më parë ka qenë edhe ajo e Vuçiqit. Duket paradoksale, por në këtë pikë janë në një mendje, pra në nevojën për ta zbrazur veriun nga institucionet e Kosovës e posaçërisht nga Policia”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së të premten.

Sipas tij, reagimi i dytë “më i butë i Ramës” ka ardhur për shkak të kundërshtisë së madhe.

Ai ka thënë se me deklaratat e tij, Rama po e bën vetëm Kosovën fajtore për ngecjen e dialogut. Qori ka thënë se Rama me deklarata po bën relativizim të sulmit ndaj Kosovës.

“Sikur u thotë jeni bashkëpërgjegjës për sulmin. ‘Ju jeni përgjegjës sepse keni krijuar kushtet që kjo të ndodhë’. Interpretim i gabuar dhe i rrezikshëm. Është sikur t’i thuash viktimës je bashkëpërgjegjës për atë që të ndodhë. E rëndë që të bëhet bashkëpërgjegjëse viktima”, ka thënë ai.

Qori ka shtuar se nuk i kupton arsyet për deklaratat e Ramës, duke dhenë disa supozime. “Duket sikur ende s’e ka qejf raportin me Kurtin, mund të jetë miqësia ndër vite me Vuçiqin, apo se dëshiron të jetë pikë mbi fuqitë perëndimore, por edhe se është i pagdhendur e padijshëm”, ka shtuar ai.

Sipas Qorit, deklarimet e Ramës në shumë raste më shumë i shkojnë në favor Serbisë se Kosovës.

Ai ka thënë se Shqipëria duhet të kishte pozicion sanksionues ndaj Serbisë dhe t’i kërkonte që t’ia dorëzonte Kosovës të gjithë të dyshuarit që ata të gjykoheshin sipas ligjeve të Kosovës.

Po ashtu ka shtuar se si vend anëtar i NATO-s, Shqipëria duhet të ngrejë zërin e t’i bindë partnerët për “të vërtetën e madhe, që të gjithë e dinë, por që bëjnë sikur nuk e shohin, që përgjegjësi kryesor për destabilizimin e Kosovës dhe Ballkanit është Qeveria e Serbisë”.

Ai ka thënë se rasti i Banjskës është edhe ndryshim në raportet në dialog, pasi sipas tij, Kosova deri para 24 shtator “goditej nga të gjithë”. Ka shprehur habinë nëse një situatë e tillë do të vazhdonte edhe tash pas sulmit agresiv në Zveçan. “Dialogu mund të nisë vetëm nëse Serbia bën dy tre hapa. Dënon sulmin, dorëzon të përfshirë dhe zotohet se do të ndalet së debstabilizuari Kosovën”, ka thënë ai.

Qori ka shtuar se NATO-ja duhet t’ia bëjë të qartë Serbisë se nuk guxon të ndërhyjë më në veri, në mënyrë që “ta shmangë lehtësisht luftën”.