Kryeministri Albin Kurti ka thënë se cilësia në arsimin e lartë në Kosovë qëndron lart në prioritetet e Qeverisë.
Ai në konferencën e Agjencisë së Kosovës për Akreditim me titullin “Ndikimi i mekanizmave të sigurimit të cilësisë në krijimin e një kulture cilësore në arsimin e lartë” ka thënë se Kosova paraqet rast të veçantë, sesi sipas tij, një universitet e ka bërë shtetin.
“Më vjen keq që në vitet e fundit këto raporte nuk kanë qenë në nivelin e dëshirueshëm. Andaj jemi sot këtu për të përforcuar urat e vjetra e ndërtuar ura të reja mes agjencisë për akreditim e ENQA-s. Agjencia e Kosovës për Akreditim e ka gjithë pavarësinë e saj institucionale. Ne si Qeveri e Kosovës jemi të angazhuar në vazhdimësi teksa e kemi finalizuar projektligjin për arsim të lartë i cili është votuar në mbledhjen e Qeverisë e tash është në Kuvend”, ka thënë ai.
Kurti ka thënë se ligji pamundëson çdo ndërhyrje në pavarësinë e AKA-s.
“E kemi siguruar objektin për agjencinë... kemi dhënë përkrahjen e plotë për rregullativën e brendshme. Kemi inkurajuar AKA-në për transparencë të plotë veprimi”, ka thënë ai.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se Qeveria një nga synimet pritoritare e ka rritjen e cilësisë në të gjitha nivelet e arsimi i lartë.
“Është i domosdoshme forcimi i pavarësisë së agjencisë në mënyrë që të arrijmë këto objektiva”, ka deklaruar ajo.