4 perditesime
15:38

Kuvendi do të hetojë dyshimet për rezervat shtetërore

Kuvendi i Kosovës ka vendosur me shumicë votash të formojë komisionin hetimor parlamentar për rezervat shtetërore.

Në seancën e së enjtes, 69 deputetë votuan pro krijimit të komisionit, gjashtë abstenuan dhe një votoi kundër.

Seanca e tretë e paraparë të zhvillohet sot, është shtyrë për në javën tjetër.

11:55

Opozita dhe pushteti përplasen lidhur me komisionin hetimor për rezervat shtetërore

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se duhet bërë hetim i thellë parlamentar lidhur me dyshimet për keqpërdorim me rezervat shtetërore.

“Duke pas parasysh indicet përtej dyshimit të bazuar për abuzimet e mundshme e konsiderojmë që të bëhet hetim i thelluar parlamentar. Mandati i këtij komisioni duhet të jetë sipas ligjit, 6 muaj. Nëse kërkohet më shumë kohë atëherë vendos Kuvendi”, ka thënë ai.

Shefja e GP të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se është hap i ngutshëm kërkesa për hetim parlamentar.

Sipas saj, më datën 18 gusht në mënyrë spektakulare janë arrestuar 2 persona pranë MINT-it dhe një person apo subjekt afarist.

“Pyetja për deputetët nënshkrues është se a nuk po i besoni Prokurorisë apo e konsideroni vetën më të aftë se prokuroria. A doni zgjedhje, a s’doni zgjedhje? Dy nga tri grupet parlamentare nuk marrin pjesë në votime se kërkojnë zgjidhje, por kërkojnë komision hetimor. Pra doni të bëheni hetues e jo deputetë. Shpenzimet shkojnë deri në 20 mijë euro. E rrjedhimisht kjo vlerë është dyfishë sa vlera e grurit që po e konsideroni. Ma shumë do të shpenzojë komisioni parlamentar sesa vlera e grurit që nuk ka arrit. Do të përfundojmë me komision i cili synon të krijojë skena interesante të bëjë show mediatik të shpenzojë paranë dhe kohën publike”, ka thënë ajo.

Gashi duke replikuar me Kusari-Lilën ka thënë se Prokuroria e ka punën e vet dhe komisioni nuk kërkon dokumente prej Prokurorisë.

“Nuk merr komisioni prej prokurorisë por, çon në prokurori. Grup kërkues për hetimin e këtij komisioni është LDK-ja. Shpenzimet i përcakton komisioni vet”, ka thënë ai.

Kusari-Lilës i ka reaguar edhe deputeti i LDK-së Driton Selmanaj.

Ai ka thënë se arsyetimet e saj janë banale. “Mos të them të paarsyeshme, por janë banale për një institucion më të lartë shtetëror. Po të them se lidhje nuk ka komisioni hetimor me procesin gjyqësor. Mos u frikësoni nga e vërteta. E vërteta na shërben të gjithëve. Po duam ta dimë secili cent i këtij populli ku po shkon. Kush është Ridvani, kush është Martini?”, është shprehur Selmanaj.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka thënë se PDK-ja e mbështetë këtë iniciativë, por nuk është iniciues.

“Ne nuk po kërkojmë me u bo hetues. Ne po kërkojmë ta përfundojmë mandatin tonë si deputet.. Kam hyrë e kam bërë një hulumtim dhe e shihni mbledhjen e qeverisë. E keni vetëm një vendim. Siç duket ka qenë vetëm mbledhje online. Ka shumë çështje politike që kanë dërgu deri te marrja e këtij vendimi. Nga të dhënat në Komisionin hetimor për energjinë patëm edhe arrestime. Ato proces verbale të komisionit hetimor ju kanë shërby prokurorisë”, ka thënë ai.

Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri ,a thënë se kanë iniciuar kërkesë për themelimin e këtij komisioni me qëllimin e vetëm që të shohin në detaje procedurat e furnizimit me rezerva shtetërore.

“Mimoza Kusari duhet ta dijë që pushtetet janë të ndara dhe kur një shefe e Grupit Parlamentar thotë se Prokuroria ka bërë spektakël, në fakt këtu është ndërhyrja. Këtu menjëherë ndërhyn politika. Personi në fjalë, zotëri Ridvan Muharremi çka do të thotë për ministren. Ne duhet me pa cili është roli i tij në rezerva shtetërore. A është faji te Rozeta a te Ridvani. Tani ku mbet ai polaku. Qysh hyni ai polaku në këtë proces të rezervave shtetërore. Jemi duke folur për një marrëveshje sekrete konfidenciale”, ka theksuar Tahiri.


Gazmend Gjyshnica, deputeti i vetëm i VV-së që përkrah krijimin e komisionit hetimor për rezervat shtetërore

Image

Gazmend Gjyshnica ishte deputeti i vetëm nga Lëvizja Vetëvendosje që përkrah krijimin e komisionit hetimor parlamentar për rezervat shtetërore.

Krijimi i komisionit u përkrah nga partitë opozitare, por jo edhe nga VV-ja.

“Për t’i shërbyer interesit publik informimit sa më të drejtë e të mirë, unë sot do ta përkrah krijimin e këtij komisioni”, ka thënë ai në Kuvend.

10:57

Dështon ratifikimi i projektit “Rehabilitimi i linjës hekurudhore 10 B”, PDK-ja e AAK-ja s’votojnë

Shqyrtimi i projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes mes Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin “Rehabilitimi i linjës hekurudhore 10 B” ka dështuar në seancën e sotme të Kuvendit pasi nuk pati vota të mjaftueshme.

Vetëm 72 deputetë votuan për ratifikimin e këtij projekti, nga 81 sa duhet për të kaluar.

PDK-ja e AAK-ja nuk votuan, ndërsa LDK-ja votoi për pasi e konsideroi si “projekt jetik për Kosovën”.

PDK-ja e AAK-ja kanë thënë se nuk do ta votojnë asnjë marrëveshje ndërkombëtare.

Kjo marrëveshje ka të bëjë me rehabilitimin e hekurudhës prej Fushë-Kosovës deri në Mitrovicë.

Linja e 10-të hekurudhore i përket rrjetit kryesor hekurudhor të zgjerimit të korridoreve të Rrjetit Trans evropian të Transportit (TEN-T). Linja Pan-Evropiane “10” fillon nga Salzburgu dhe kalon nëpër Austri, Slloveni, Kroaci, Kosovë e Maqedoni, përfundon më pas në Selanik të Greqisë.

Kuvendi në vazhdimin e seancës ka miratuar në lexim dytë Projektligjin për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore dhe Projektligjit për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta. Gjithashtu është formuar edhe Komisioni ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radha e komunitetit serb.

10:40

Kuvendi nis me një minutë heshtje në përvjetorin e vrasjes së Ahmet Krasniqit

Kuvendi i Kosovës ka nisur seancat e planifikuara për sot me një minutë heshtje në nderim të kolonelit Ahmet Krasniqi.

Sot shënohet 25-vjetori i vrasjes së kolonel Krasniqit në Tiranë.

Një minutë heshtje për Krasniqin u kërkua nga shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, në koordinim me grupet e tjera parlamentare.


Ndërkohë, Rezoluta për punën dyvjeçare të Qeverisë nuk ka kaluar.

08:06

Kuvendi sot pritet të themelojë komision hetimor lidhur me furnizimin me rezerva shtetërore

Kuvendi i Kosovës sot pritet t’i mbajë tri seanca plenare. Ne mesin e tyre është edhe seanca në të cilën është vetëm një pikë e rendit të tyre që është “themelimi i komisionit hetimor parlamentar lidhur me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, si dhe keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore, nëpërmjet kualifikimit të procedurës si sekret shtetëror për furnizime të tilla”.

Kjo seancë është paraparë të nisë në orën 13:00.

Ky Komision pritet të themelohet pas dyshimeve që janë ngritur pas publikimit të disa audio-incizimeve nga gazeta online “Nacionale”, në të cilat dëgjohen dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë dhe Tregtisë (MINT) të cilët pretendojnë se vaji i paguar nga Polonia nuk iu bashkua rezervës shtetërore. Sipas atyre incizimeve, njësoj ndodhi edhe me një pjesë të grurit.

Kjo ishte mohuar nga MINT-i, në një komunikatë të zë cilës thuhej se “furnizimet dhe rezerva shtetërore janë në përputhje me ligjet përkatëse, planin përkatës dhe asnjë dëm apo dëmtim nuk ka ndodhur me to”.

MINT-i ka kërkuar hetime edhe për “përpjekjet për keqinformim”.

Pas raportimeve autoritetet më 18 gusht kishin zhvilluar një aksion ku në MINT, kishin arrestuar drejtorin e Divizionit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, Hafiz Gara dhe drejtorin e Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave, Irfan Lipovica. Gjithashtu, në këtë aksion ishte arrestuar edhe afaristi Ridvan Muharremi. Që të tre më 31 gushi ishin liruar nga paraburigimi, për t’u mbrojtur në liri.

Këtë vendim e ka marr Gjykata e Apelit, pasi që ka pranuar ankesat e mbrojtësve të të arrestuarve.

Gjykata Themelore në Prishtinë u kishte caktuar atyre nga një muaj paraburgim, një ditë pasi ishin arrestuar.

Para seancës ku pritet të themelohet komisioni hetimor lidhur me rezervat shteterore, Kuvendi do të mbajë vazhdimin e seancës me pikat e papërfunduara në seancën e mbajtur më 14 shtator.

Në këtë vazhdim të seancës që pritet të nisë në orën 10:00 është paraparë të shqyrtohen këto pesë pika:

Votimi i Propozim-Rezolutës për punën dyvjeçare të Qeverisë së Kosovës,

Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-251 për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin “Rehabilitimi i linjës hekurudhore 10 B”,

Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-185 për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore,

Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-205 për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta,

Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radha e komunitetit serb.

Ndërsa në orën 14:00 Kuvendi do të mbajë një seancë të re plenare me gjithsej 23 pika në rend të ditës.

Rendi i ditës për seancën e re plenare

Miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme,

Deklarimet jashtë rendit të ditës,

Pyetjet parlamentare,

Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-212 për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor,

Votimi i Projektligjit nr.08/L-221 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë dhe projektit ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, KOSTT (Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu sh. a.) dhe KFË, Frankfurt Am Main (KFË) për Projektin -Zhvillimi i sektorit të energjisë VII – përmirësimi i rrjetit të transmetimit,

Votimi i Projektligjit nr.08/L-222 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për Projektin “Ngrohtorja solare e Prishtinës”,

Votimi i Projektligjit nr.08/L-223 për ratifikimin e Marrëveshjes për bashkëfinancimin e bursave të arsimit të lartë në nivelin master në mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ambasadës së Francës në Prishtinë,

Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-207 për tekstet shkollore,

Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-234 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar,

Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-236 për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze,

Zgjedhja e Komisionerit Parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovës,

Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e dy (2) anëtarëve nga radhët e komunitetit shqiptarë në Komisionin e Pavarur për Media,

Shqyrtimi i rekomandimit të Komisionit për ekonomi, industri, ndërmarrësi dhe tregti për shkarkimin e kryesueses dhe anëtarët e Bordit të Komisionit për Pavarur për Miniera dhe Minerale,

Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-125 për Pronën Publike,

Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-168 për Prokurorinë Speciale,

Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-188 për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës,

Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/-L-187 për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit nr.08/L-032 të Procedurës Penale,

Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-194 për Sistemin Qendror të Evidencës Penale të Kosovë,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-245 për artin dhe kulturën,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-241 për vlerësimin strategjik mjedisor,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-242 për performancën energjetike të ndërtesave,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-246 për administrimin e ndërtesave dhe lagjeve të banimit në bashkëpronësi,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-240 për Agjencinë e Regjistrimit Civil.