Arbëri

Krasniqi: Thirrjet populiste të Kurtit për t'u bashkuar kundër Perëndimit, çmenduri e llojit të vet

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se qëndrimet aktuale të kryeministrit Albin Kurti do t’i kushtojnë Kosovës dhe jo atij personalisht.

Krasniqi i ka quajtur “çmenduri të llojit të vet”, siç ka thënë ai, thirrjet populiste për t’u bashkuar kundër perëndimit dhe botës demokratike, duke pasur synim integrimin euro-atlantik.

“Tash, pasi e ka kuptuar se ka gabuar, ka vendosur të bëjë lojëra fjalësh dhe hapa mbrapa. Fatkeqësisht, ky ndryshim i qëndrimit nuk do t’i kushtojë atij, por Kosovës. Kosova dhe qytetarët e saj nuk i kanë borxh asgjë Kryeministrit Kurti – aq më pak sanksionet të cilat tashmë po i vuajmë dhe të tjera që janë paralajmëruar. Qytetarëve dhe shtetit tonë nuk i duhet e nuk i ndihmon ky kurs i konfrontimit me aleatët strategjikë. Sot, para se gjithash, Kosova ka nevojë për një Qeveri tjetër - kredibile, të aftë dhe të përgjegjshme, e cila e rikthen vendin në kursin e nevojshëm të zhvillimit dhe integrimit euro-atlantik”, ka shkruar ai në Facebook.

Sipas tij, me kryeministrin Kurti, Kosova po vihet në thumb të kritikës ndërkombëtare, derisa Serbia po lirohet nga presioni.