Arbëri

Çitaku: Do ta paguajmë rëndë barrën e dështimit të procesit të dialogut

Vlora Çitaku - PDK

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka thënë se Kosova do ta paguajë rëndë barrën e dështimit të procesit të dialogut.

Nëpërmjet një postimi në Facebok, Çitaku e ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për arrogancë e populizëm.

“Një situatë si kjo sot, ku barrën e dështimit të procesit, sipas ndërmjetësve, e merr Kosova, do ta paguajmë rëndë. Arroganca e frazeologjia boshe e populiste nuk pinë ujë as në Bruksel e as në Washington”, ka shkruar ajo.

Sipas Çitakut, Kosova duhet të brengoset vetëm për të ardhmen e saj dhe jo për fatin e Serbisë.

“Serbia është po ajo që ka qenë gjithmonë. Si në Rambuje, njëjtë edhe në Vjenë më vonë, e tash në Bruksel. Po fati i Serbisë nuk është brenga jonë. A duan të hyjnë ata në BE a jo, është zgjedhje e tyre. Ne duhet të brengosemi për të ardhmen evropiane të vendit tonë”, është shprehur ajo.