Analisti nga veriu i Mitrovicës, Branislav Kërstiq, ka konsideruar që qëndrimi i kryeministrit Albin Kurti të enjten në Bruksel nuk duhet ta shqetësojë asnjë shtetas të Kosovës.
I ftuar në “60 Minuta” të KTV-së, Kërstiq ka thënë se përfundimi i takimit të sotëm në Bruksel nuk duhet të shihet si alarmant.
“Nuk duhet që sot asnjë shtetas i Kosovës të jetë i shqetësuar që z.Kurti ka bërë diçka negative apo alarmante. Jam i sigurt që nuk është alarmante sepse ultimatumi nuk shkon në atë mënyrë”, ka thënë ai.
Sipas Kërstiqit, Beogradi është nën kontroll të administratës amerikane, teksa Prishtina zyrtare është ajo me të cilën aktualisht kanë problem aleatët ndërkombëtar.
“Ne e dimë nga fillimi që z.Kurti dhe z.Vuçiq janë duke e vetëzhvilluar atë animozitetin midis tyre. Beogradi është nën kontroll të administratës amerikane, tani aleatët tanë kanë probleme me Prishtinën zyrtare. Unë besoj se asgjë nuk është shqetësuese”, është shprehur ai.
Teksa ka thënë se nuk sheh rrezik për incidente të reja në veri të vendit, Kërstiq ka thënë se Lista Serbe nuk është dëshirë e serbëve të Kosovës, teksa ka akuzuar qeveritë e kaluara për mbështetje të Beogradit zyrtar.
“Lista Serbe nuk është dëshirë e nënshtetasve të Kosovës të nacionalitetit serb, ajo është e instaluar nga Beogradi zyrtar me mbështetje serioze të ish-qeverive, të LDK-së, AAK-së dhe PDK-së”, ka theksuar ai.